Transmetuar më 24-04-2018, 20:24

Nga Afrim Krasniqi

Reforma zgjedhore? Integrimi në BE?

Reforma zgjedhore bazohet në një paradoks të madh: qytetarët e shumicës akuzojnë politikanët se po u deformojnë vullnetin dhe votat, këta të fundit mblidhen dhe vendosin se çfarë do të bëjnë me votën e fshehtë qytetarët në 2-4-6 vitet e ardhshme.

Pa llogaridhënie, pa falje, pa reflektim…..

Ditën që BE publikoi raportin mbi Shqipërinë elitat tona politike shkuan në parlament jo për të reflektuar, jo për një pakt kombëtar ndryshimi, jo për të treguar se kanë mësuar nga gabimet e të kaluarës, por për të treguar se janë të paprekshëm, të pandërshkueshëm dhe të pandjeshëm.

Ligjërimi i tyre në parlament, përpara ndërtesës së Kuvendit dhe në mbrëmje në studiot televizive ishte fyes e zhgënjyes për pritshmërinë tonë evropiane, për interesin publik dhe interesin qytetar.

Shumica e tyre kanë humbur lidhjen me realitetin, janë të korruptuar dhe janë shndërruar tashmë në rrezik për vendin, shoqërinë dhe progresin.

Ata u ngjajnë personazheve të përrallave që hypin në pemë për tu dukur sa më lart dhe në vend dhe që kalojnë gjithë kohën duke prerë degët e pemës për të mbetur në fund ata dhe trungu, si pengmarrje dhe si pengesë e progresit….socialistët kanë ardhur në pushtet me premtime të mëdha, për shtetin dhe ligjin, lirinë dhe integrimin dhe sot, në kërkim të pushtetit afatgjatë pa shqetësimin e mendimeve kritike e opozitës, janë kthyer në arrogantë, të paaftë të sjellin ndryshime dhe të pafuqishëm për të ngjallur shpresë.

Opozita? Numri i qytetarëve aktiv opozitar është shumëfish më i madh sesa atyre që paguhen si opozitë. PS ka nevojë të ndajë shtetin nga partia dhe të heqë dorë nga pengmarrja e mëtejshme prej oligarkëve të rinj të saj.

PD ka nevojë të mbyllet në një mbledhje pune një javore, për të folur për dështimet, bilancin, gabimet, identitetin, programin, zgjedhjet brenda vetes, vizionin dhe kontratën për të ardhmen….

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al