Transmetuar më 24-04-2018, 19:29

Çështja e grupit të “Habilajve” u rikthye edhe njëherë në fokus pas lajmeve se Nezar Seiti, i cilësuar si “financier” i grupit do të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë.

Por, gjatë ditës së sotme avokati i tij Detar Hysi mohoi një gjë të tillë. Ndërkohë, më herët qarkulluan në media disa informacione sipas të cilave sot do të merrej dëshmia e Seitit në ambjentet e Prokurorisë së Katanias, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Konfirmimi vjen nga media italiane MeridioNews e cila e nis artikullin me pyetjen “A u pendua apo jo?”

Më tej, media italiane raporton se deri tani nuk ka të dhëna që Seiti të ketë pranuar të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Ai pritet të dalë para gjykatës njësoj si gjithë pjesëtarët e tjerë të grupit.

“Për Seitin, si dhe për të dyshuarit e tjerë, prokuroria ka mbyllur dosjen e hetimeve dhe së shpejti Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij, duke përfshirë edhe disa shitës me shumicë italianë, do të dalin në gjyq. Seanca e parë gjyqësore do të mbahet brenda pak javësh edhe pse deri tani nuk ka një datë të saktë”, thuhet në shkrimin e MeridioNews.

Po ashtu, portali italian sqaron se Seiti ndodhet në një burg të Romës. Në shkrim përmendet sërish edhe emri i ish-ministrit Tahiri, por nuk ka të dhëna të reja që mund të rëndojnë pozitën e tij.

“Sipas të dhënave, Seiti duhet të takohej me gjyqtarët dhe prokurorët në Catania. Të njëjtët njerëz që, së bashku me ushtarët e “Gicos” dhe Guardia di Finanza, kanë punuar prej vitesh për kapjen e grupit që drejtohej nga vëllezërit Florian dhe Moisi Habilaj. Emrat pak të njohur në Itali, por që në Shqipëri, pas arrestimit të tyre, kanë dhëna informacion sa për të shkaktuar një krizë qeveritare për shkak të lidhjes fisnore të trafikantëve me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin. Politikani, i cituar në disa përgjime telefonike dhe ambientale, përfundoi nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Seiti, i konsideruar nga hetuesit si financieri i grupit, sipas informacioneve të siguruara nga MeridioNews, momentalisht mbahet në Romë, në burgun e Rebibbia”, vijon shkrimi./a.m./noa.al/