Transmetuar më 24-04-2018, 16:00

Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e rënies nga lartësitë. Bëhet fjalë për tre raste të ndryshme, njëri i ndodhur në Fier, tjetri në Lezhë dhe i fundit në Shkodër.

Në Ishull Shëngjin, tek një lokal aksidentalisht ka rënë nga shkallët e katit të dytë dhe ka gjetur vdekjen, N.M., 71 vjeç.

Dyshohet se i moshuari ka rrëshqitur pasi ka humbur ekuilibrin, ku si pasojë e dëmtimeve të marra ka gjetur vdekjen.

Rasti i dytë ka ndodhur në fshatin Radostinë të Fierit. Duke punuar në banesën e tij, 53-vjeçari T.B., ka rënë aksidentalisht nga ballkoni i katit të tretë.

Si pasojë e dëmtimeve të marra ai ndodhet në spitalin e Fierit, nën kujdesin e mjekëve.

Ngjarja e tretë është shënuar në Shkodër, në fshatin Prush. Në banesë, 27-vjeçari S.Gj., është rrëzuar nga shkallët e banesës, për pasojë ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Paraprakisht dyshohet se ngjarja është aksidentale, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për vlerësim. /a.y/noa.al

Foto ilustruese