Transmetuar më 23-04-2018, 16:45

Kryeministri Edi Rama ka pritur në një takim kryeministrin belg Charles Michel, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Ky takim vjen vetëm pak ditë pas rekomandimit pozitiv të KE për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

“Diskutuam për progresin e bërë për pesë prioritetet. Diskutuam dhe për raportin dhe rekomandimin pozitiv pa kushte të KE. Lajmi i mirë se me marrjen e këtij rekomandimi nis një fazë e re për vendin, sepse i gjithë procesi është për vendin dhe ardhmërinë e tij bazuar në një shtet modern dhe institucione demokratike për të cilat ndihmon jashtëzakonisht ky proces.

Dhe sigurisht që folëm për sfidat e përbashkëta të vendit, proces në vijim. Ne besojmë se Shqipëria meriton një vendim për të hapur negociatat. Natyrisht i vetëdijshëm që hapja e negociatave nuk është fundi i përpjekjeve, por fillimi i një faze të re.  Padyshim diskutuam edhe për rajonin, diskutuam për bashkëpunimin rajonal”, deklaroi kryeministri Rama.

Ndërkohë, kryeministri belg Charles Michel Michel deklaroi se vendi i tij nuk ka ende një vendim nëse do japë miratimin për çeljen e negociatave. Ai tha se BE ka një kalendar të qartë deri në kohën kur jepet vendimi, dhe Belgjika do marrë vendimin e saj në momentin e duhur. Ai u ndal edhe tek çështja e emigracionit të jashtëligjshëm që konsiderohet si një prej prioriteteve të këtij vendi. Michel tha më tej se Belgjika e konsideron Shqipërinë si vend të sigurt të origjinës, çka sipas tij e bën të pamundur fitimin e azilit.

“Vendosmëri për të punuar së bashku për të konsoliduar marrëdhëniet në të gjitha aspektet, si atë ekonomik, edhe politik. Ekipet tona do punojnë për të forcuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin reciprok dhe për të ushqyer partneritetin e plotë. Kemi pasur rastin të përmendim rëndësisnë e BE, për çështjen e emigracionit, rëndësinë që ka për ne kjo çështje, për të pasur një partneritet të ndershëm. Belgjika e konsideron Shqipërinë si një vend të sigurt, dhe është e rëndësishme për të parandaluar format e emigracionit ilegal. Vlerësojmë arritjet e qeverisë së drejtuar nga Rama në fushën e shtetit të së drejtës, veçanërisht në realizimin e reformës në drejtësi”, deklaroi Michel./a.m./noa.al/