Transmetuar më 23-04-2018, 14:23

Partia Demokratike ka denoncuar sot kërcënimin ndaj një zyrtari të demokrat në Gjirokastër. Bëhet fjalë për Florjan Xhutin, i cili është kryetari i grupit të punës në Gjirokastër. Në një dalje për mediat, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se Xhutin e kanë kërcënuar dy persona duke i thënë që mos e shajë qeverinë.

“Jam këtu për të denoncuar një ngjarje të rëndë kriminale! Persona të armatosur në mes të natës kanë kërcënuar me pistoletë në kokë, kryetarin e grupit të punës për organizmin e Partisë Demokratike në qarkun e Gjirokastrës, Florian Xhuti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur, pasi Floriani po kthehej nga një takim me strukturat e partisë në Tepelenë. 

Në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, mjeti me të cilin Florian Xhuti udhëtonte i vetëm, është ndaluar nga një automjet tjetër, ku ishin dy persona, të cilët ai nuk ka mundur t’i identifikojë. Pasi i kanë zënë rrugën në një vend të pandriçuar, njëri prej personave është afruar tek mjeti i tiej i ka vendosur pistoletën në kokë, duke e sharë dhe duke e kërcënuar me paralajmërimin të mos kthehej më në Tepelenë për të sharë qeverinë”, u shpreh Alibeaj.

Më tej ai deklaron se të dy personat e paidetifikuar janë përpjekur ta zbresin nga makina Florian Xhutin, por fatmirësisht, aty ka kaluar një makinë tjetër, moment i cili është shfrytëzuar nga Floriani për të larguar armën nga koka dhe për t’u larguar.  

“Ai ka shkuar me urgjencë në drejtorinë e Policisë Fier ku ka bërë denoncim zyrtar për ngjarjen. Policia nga ana e saj ka marrë deklarimet e Xhutit dhe thotë se ka bërë veprimet dhe hetimet për ngjarjen. Kërcënimi me armë i përfaqësuesit të opozitës ka ndodhur afër mesnatës të së enjtes. Ne nuk e kemi denoncuar publikisht këtë ngjarje kriminale për t’i dhënë kohë policisë të bëjë detyrën për zbulimin e autorëve, por deri tani, i vetmi rezultat i saj është se autorët kanë ikur në drejtim të paditur”, shton Alibeaj.

Partia Demokratike e refuzon këtë përpjekje mjerane për t’i mbyllur gojën opozitës dhe përfaqësuesve të saj, që kanë denoncuar me forcë kultivimin dhe trafikimin e lëndës narkotike në Tepelenë, Memaliaj dhe në të gjithë Shqipërinë.

“Duke dënuar me forcë këtë ngjarje kriminale që ka për qëllim intimidimin e opozitës dhe largimin e saj nga zonat që deri dje mbilleshin me kanabis, me lejen e Saimir Tahirit, Partia Demokratike i bën të qartë kujtdo se asgjë nuk do ta ndalë atë në denoncimin e lidhjeve të krimit më këtë qeveri në çdo nivel të saj”, përfundon deklaratën e tij Alibeaj./b.l/noa.al/