Transmetuar më 23-04-2018, 13:56

Presidenti Ilir Meta i akordoi në një ceremoni të veçantë senatorit italian, z. Pier Ferdinando Casini, Dekoratën “Nënë Tereza”. 

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, ish-Kryetari i Kuvendit, z. Servet Pëllumbi, ish-Kryeministri, z. Sali Berisha, deputetë, përfaqësues të trupi diplomatik dhe të institucioneve të tjera. 

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Meta vlerësoi personalitetin e spikatur të z. Casini si politikan që mishëron vlerat më të larta të parlamentarizmit, dialogut dhe demokracisë.

“Senatori Casini ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por edhe për mbështetjen e iniciativave të ndryshme parlamentare italiane në dobi të forcimit të marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë. Po kështu ai ka qenë një avokat i vazhdueshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe rajonin tonë”, tha Meta.

Më tej, Presidenti theksoi se Senatori Casini është një prej personaliteteve më të shquara të politikës italiane, që ka ndikuar dukshëm në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Si President i Dhomës së Deputetëve, por edhe si Kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit italian, Senatori Casini ka ndihmuar për forcimin e marrëdhënieve ndër-parlamentare dhe krijimin e një atmosfere të shkëlqyer bashkëpunimi mes dy parlamenteve”,  shtoi Presidenti Meta.

Duke u ndalur te viti mbarë kombëtar i të Skënderbeut, Presidenti Meta theksoi se intensifikimi i kontakteve dhe ngjarjeve politike, historike dhe kulturore me Italinë është i veçantë, sepse të veçanta dhe jetike ishin për Skënderbeun aleancat e tij përtej Adriatikut në periudhën më të lavdishme të popullit dhe kombit tonë./b.l/noa.al/