Transmetuar më 23-04-2018, 13:14

Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar burg për jetë për Miklovan Parubin, autor i vrasjes së dyfishtë në Dajç më 3 tetor të vitit 2016 dhe plagosjes së 4 të tjerëve. Në seancën e sotme, prokuroria kërkoi 20 vite burg për Marçel Shpijatin, bashkëpunëtor i tij.

Prokuroria në paraqitjen e provave tregoi se përveç pamjeve filmike ka marrë dëshmitë e 7 personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje mes të cilëve edhe 4 të plagosur.

Shpijati ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë prandaj prokuroria kërkoi vetëm 20 vite burg nga 40 që parashikojnë veprat penale që rëndojne mbi të.

Ngjarja

Ngjarja u shënua rreth orës 22: 40 të mbrëmjes së të hënës më 3 tetor 2016 ku Miklovan Parubi qëlloi me kallashnikov në një lokal duke shkaktuar dy të vdekur dhe 4 të plagosur pas një konflikti që mendohet se ka nisur gjatë lojës mes autorit dhe një prej shokëve të tij Ndok Marku. 

Në gjaknxehtësi e sipër Miklovani ka dalë nga lokali dhe është larguar për në drejtim të shtëpisë ku edhe ka marrë armën e krimit tip kallashnikov. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, Parubi që njihej si përdorues droge dhe me probleme të forta emocionale dhe në çastin e krimit kishte konsumuar edhe një sasi të kosniderueshme alkooli. 

Plumbat e kallashnikovit rezultuan fatal për Arjet Saitin, 42 vjeç i cili kishte pak kohë që kishte marrë me qera lokalin ku ndodhi masakra, Gacalin Kopshtin, 30 vjeç duke i lënë të vdekur në vend. Katër shtetasit e tjerë, Ndok Marku, Vinçens Kopshti (vëllai i viktimës Gacalin Kopshti), Aleks Prendi dhe Kitas Molla, të moshës 35, 22 ,42 dhe 26 vjeç, mbetën të plagosur dhe u dërguan me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës. 

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, mjekët bënë me dije se ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa plumbat i kanë prekur në pjesët e poshtme të trupit.

Pas krimit, autori është larguar, duke u ndihmuar nga një tjetër banor i zonës, Marçel Shpijati. Ky i fundit, sipas burimeve nga vendngjarja, e ka ndihmuar autorin për të gjetur armën kallashnikov me të cilën më pas ka kryer edhe krimin e rëndë duke qëlluar mbi shokët e tij.

Pasi Parubi ka kryer krimin, Shpijati e ka ndihmuar sërish që të largohet me shpejtësi dhe që të fshihet për të mos rënë në gjurmët e policisë. Vetë Miklovan Parubi nuk ka treguar pendesë për ngjarjen, por vetëm duke thënë se i vinte keq për tre të tjerët. /b.l/noa.al/