Transmetuar më 23-04-2018, 11:41

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj ka dalë sot para Gjykatës Kushtetuese, ku po zhvillohet seanca dëgjimore për pastërtinë e figurës së saj, në kuadër të procesit të Vettingut.

Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke renditur pasurinë e saj, ka konstatuar mungesë dokumentesh për apartamentin në pronësi të saj në zonën e Gjirit të Lalzit.

KPK konstaton se gjyqtarja Xhoxhaj ka bërë deklarime të pavërteta. Po ashtu sa i takon anës profesionale, vihet re se gjyqtarja ka vonuar gjykimet e çështjeve.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi shqyrtoi deklaratat e pasurisë së saj, thotë se nga hetimi administrativ nuk justifikohet origjina e të ardhurave për një shtëpi 101 metra katrorë në Tiranë.

Gjyqtarja Xhoxhaj rezulton se ka apartament banimi 101 m2 në rrugën ‘Reshi Petrela’, blerë 61 mijë e 50 euro. Ka truall me sipërfaqe 221.9 m2, blerë në vitin 2013 në Gjirin e Lalzit, si dhe apartament 2+1 dhe verandë po në Gjirin e Lalzit.

Xhoxhaj ka disa llogari kursimi së bashku me bashkëjetuesin. Gjyqtarja nuk i ka sjellë disa dokumente në kohë për të shpjeguar këtë pronë.

Gjithashtu janë afro 4.4 milionë lekë për të cilat nuk ka justifikim në dokumentacion.

Po ashtu KPK konstaton se apartamentin 2+1 në Gjirin e Lalzit ka rezultuar se nuk e ka blerë me para të ligjshme dhe nuk justifikohet dhe se në truallin me sipërfaqe 221.9 m2 Xhoxhaj ka përfituar 100 m2 më tepër me anë të legalizimit nga çfarë i takonte.

Bazuar në burimin e pagave, rezulton se Xhoxhaj nuk i justifikon të ardhurat e saj dhe se deklarimet janë të pasakta.

Para saj në KPK u shqyrtua gjyqtari i Kushtetueses Fatos Lulo, i cili për shkak se nuk justifikoi dot pasurinë, u shkarkua nga detyra. Po ashtu u shkarkua edhe gjyqtari i Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva. Sakaq gjyqtarja tjetër Vitore Tusha, është e vetmja që deri më tani, ka kaluar filtrin e vettingut.

Por pak ditë më parë KPK shkarkoi edhe prokuroren e Apelit Shkodër, Besa Nikhasani, për shkak se pasuria e saj rezultoi e pajustifikuar. /a.y/noa.al