Transmetuar më 22-04-2018, 16:06

Pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian për çeljen e negociatave për Shqipërinë, ka ardhur edhe reagimi i eurodeputetit Eduard Kukan, i cili është anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.

Ai ka deklaruar se tashmë Shqipëria duhet të bëjë përparime të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar. Po ashtu, ai vuri theksin te ndëshkimi i korrupsionit, që përbën një prej pikave ku BE ngulmon.

“Shqipëria duhet të ripohojë përparimin në sundimin e ligjit dhe të vazhdojë të japë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” deklaroi Kukan.

Ai tha më tej se e ka mirëpritur dhënien e rekomandimit pozitiv për Shqipërinë, duke shtuar se tashmë vendi duhet të vijojë reformat për çeljen e negociatave.

 “Unë e mirëprita dhe mbështes rekomandimin e Komisionit për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë. Shpresoj që së shpejti vendi do të ketë një shans për të filluar negociatat dhe për të nxitur proceset e reformave”, deklaroi Kukan./a.m./noa.al/