Transmetuar më 22-04-2018, 14:55

Kreu i Grupit parlamentar socialist Taulant Balla mori pjesë në një nga seminaret e Akademisë Politike në Elbasan e cila organizohet me mbështetjen e NDI- National Democratic Institute. Balla bëri një pasqyrë të situatës politike në vend duke u nisur nga rekomandimi për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

“Rekomandimi për hapjen e negociatave nuk ishte një fitore e PS. Sigurisht që PS meriton gjithë vlerësimin sepse ishte PS ajo që përmbushi kriterin kryesor që para 4 vitesh nuk mendohej se mund të realizohej ndonjëherë, e që ishte pastrimi i sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët e prokurorët e korruptuar. Para 4 vitesh nuk e besonte njeri.

Por përsëri ne jemi modestë dhe për hir të këtij procesi kaq të rëndësishëm historik duam të kemi bashkëpunimin e opozitës, sepse një pjesë e mirë edhe të reformave që do të vijnë kërkojnë konsensus edhe më të gjerë se sa ai që ne kemi sot në Kuvend, edhe pse ne kemi një mazhorancë komode për të qeverisur vendin”, u shpreh Balla.

Më tej ai theksoi se është për të ardhur keq që në Parlament kemi një opozitë të papërgjegjshme. “Unë jam shpresëplotë, se pavarësisht sensibiliteteve kundër zgjerimit që ka në disa vende ne të kemi mundësi të marrim një datë për hapjen e negociatave, Lul Basha thotë që Shqipërisë nuk duhet t’i hapen negociatat”, shtoi ai.

Balla bëri edhe një shpjegim të procesit të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së: “Në vitin 2014 Shqipëria mori statusin e vendit kandidat dhe na përcaktuan 5 detyra kyçe që ne të hapim negociatat.  E para, është shteti i së drejtës dhe reforma në gjyqësor. E dyta ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit.

E treta, lufta kundër krimit të organizuar.  E katërta, reformimi i administratës publike. Dhe e pesta, të drejtat e njeriut.  Pra një nga këto prioritete ishte reforma në drejtësi për të cilën unë sot, si Kryetar i Grupit Parlamentar të PS, jam shumë krenar që partia ku unë bëj pjesë luajti një rol historik në miratimin e kësaj reforme”.

Sipas Ballës Komisioni Europian, pasi Shqipëria i bëri të gjitha prioritetet, thotë që tani vendi ynë është i gatshëm të hapë negociatat. “Edhe Parlamenti Europian është dakord që Shqipërisë t’i hapen negociatat”, tha Balla./b.l/noa.al/