Kreu i Shërbimit të Zjarrfikësve në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj deklaroi se zjarri i përmasave të mëdha sot në një fabrikë riciklimi në Kashar është vënë nën kontroll.
Në një prononcim për mediat, Goxhaj tha se pasi u siguria të lokalizohej vatra e zjarrit dhe mos të kishte rrezik për bizneset e tjera përreth forcat e shërbimit zjarrfikëse do të angazhohen për heqjen e resë së madhe të tymit që duket pothuajse në të gjithë Tiranën.
“Kemi punuar gjatë gjithë kohës pa ndërprerje dhe bëmë të mundur që vatra e zjarrit të izolohet në subjektin ku u shfaq. Mendoj se shumë shpejt, do ta izolojmë zjarrin. Është i gjithë efektivi i shërbimeve zjarrfikëse të Tiranës me përjashtim të dy automjeteve me 10 forca që ne i mbajmë për raste emergjence në qytet, sepse nuk mund të rrezikojmë jetët e qytetarëve.
Rreziku ka kaluar, tani jemi drejt izolimit të flakëve dhe të mundohemi sa më shpejt që të ulim edhe tymin. Dihet që retë e zeza të tymit nuk janë të mira për çdo qytet”, u shpreh ai.
Mësohet se përveç zjarrfikëseve nga Tirana, aksionit për shuarjen e flakëve i janë bashkuar edhe dy zjarrfikëse të Vorës, dhe 3 të ushtrisë nga Durrësi.
Kjo fabrikë është djegur edhe dy herë të tjera dhe zjarrfikëset i kanë vënë gjobë për shkak të mos marrjes së masave për parandalimin e zjarrit. Fabrika ka lëndë plastike çka do të thotë se ndotja është tejet e madhe.