Transmetuar më 22-04-2018, 13:04

Prej më shumë se dy orësh, zjarrfikësit, por edhe forcat e ushtrisë janë duke luftuar me flakët që thuajse shkrumbuan një fabrikë riciklimi mbetjesh mëngjesin e sotëm në Kashar.

Për shkak të materialeve që gjendeshin brenda godinës, puna e zjarrfikësve për shuarjen e flakëve është mjaft e vështirë.

Pranë zonës gjenden edhe dy pika karburanti, por policia bën të ditur se nuk ka rrezik. Më herët, policia njoftoi edhe se fatmirësisht nuk ka persona të plagosur.

Makina të shumta zjarrfikëse janë duke punuar aktualisht në zonë, zjarrfikëseve të Tiranës, u janë bashkuar edhe ato të Vorës, por ndihma ka ardhur edhe nga Durrësi, si edhe nga forcat e ushtrisë.

Gjithashtu si pasojë e këtij zjarri  OSHEE njofton se është djegur një pjesë e linjës që furnizon Unazën e Re me Mëzezin.

“Për shkak të rënies së zjarrit te fabrika e riciklimit, është djegur një pjesë e linjës që furnizon Unazën e Re dhe Mëzesin. Grupet e punës së OSHEE ndodhen në terren për masat e ruajtjes së sigurisë. Raportohet për një kabinë të djegur plotësisht si dhe kemi stakuar dy fidera 105 dhe F13 për masë sigurie”, njofton OSHEE. /b.l/noa.al/