Transmetuar më 22-04-2018, 12:40

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka akuzuar sërish qeverinë se me taksën progresive po çon vendin drejt falimentimit financiar. Sipas Vasilit, taksa progresive është produkt i mendjeve të çmendura, por edhe hajdute të paskrupullt të qeverisë që po destrukturon vendin nga ana sociale.

“Banka Botërore foli, taksat hajdute të qeverisë po rrënojnë qytetarët. Qeveria po e rrokullis vendin drejt një rrënimi financiar të paralajmëruar. Taksa progresive produkt i mendjeve të çmendura, por dhe hajdute të paskrupull të qeverisë po destrukturon vendin nga ana sociale. Thellimi i varfërisë dhe mbështetja ndaj oligarkisë me të cilën qeveria ndan paratë janë ekstremet tragjike ku kryeministri po zhyt vendin”, shkruan Vasili.

Përmes statusit të tij në rrjetin social Facebook, Vasili citon Bankën Botërore ku shprehet se: “Vetëm si pasojë e taksave, popullsia shqiptare që jeton me më pak se 4 dollarë në ditë, rritet nga 22.6 për qind në 29.1 për qind". 

“Taksa progresive dhe i tërë koncepti financiar për shtetin i kësaj qeverie është shumë armiqësor për të varfërit dhe në shërbim e i nënshtruar ndaj oligarkëve. Opozita kërkoi uljen e TVSH për artikujt jetike te ushqimeve te shportës nga 20% ne nivelin 5%. U kërkua nga opozita edhe heqja e TVSH për biznesin e vogël që u refuzua egër nga qeveria”

Sipas Vasilit Banka Botërore thotë se: “Në vende si Kili, Meksika, Rusia dhe Kolumbia sistemi i taksave e ul varfërinë. Ndërsa Shqipëria është një nga vendet ku taksat sjellin rritjen më të lartë të varfërisë", thuhet në raport. "Taksat indirekte, veçanërisht Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është ai që shkakton rritjen më të madhe të varfërisë në Shqipëri" 

Vasili shton më tej se përfundimisht i gjithë sistemi financiar që iu imponua shqiptarëve dhunshëm prej kësaj qeverie ka dështuar totalisht.

“Belbëzitjet demenciale për ekonominë të një kryeministri të paditur dhe paranojak për pushtetin e tij personal po e shtyjnë vendin drejt greminës dhe rrënimit të pandashëm ekonomik e social. Njerëzit e thjeshtë janë mbërthyer për fyti nga qeveria dhe po ripen në mënyrë të pamëshirshme me taksa çnjerëzore. Duhen ndalur sot. Shqiptaret janë pa drejtim”, përfundon Vasili. /b.l/noa.al/