Transmetuar më 22-04-2018, 10:37

Gjykata e Tiranës do të vlerësoj sot masën e sigurisë për Kastriot Gjuzin i cili dyshohet se është autori i vrasjes së Mario Majollarit.

Sipas informacioneve mësohet se Kastriot Gjuzi nuk ka pranuar vrasjen. Ai ka deklaruar se ka qenë afër vendit të ngjarjes kur u vra Majollari, pasi 50 metra më larg ka shtëpinë e vjehrrës.

“Nuk kam lidhje me vrasjen. Kam qenë afër vendit ku u vra Majollari, pasi 50 metër më larg kam vjehrrën. Kur ka ndodhur ngjarja kam qenë në shtëpi dhe kur erdhi policia unë kujtova se kanë bërë sherr nipat që loznin futboll, dhe shkova te komshia. U largova direkt në Kosovë, më kanë kapur ndërsa kthehesha në drejtim të Shqipërisë, në autostradë”, mësohet të ketë thënë Gjuzi përpara policisë.

Tre ditë më parë, Kastriot Gjuzi, u arrestua në Kosovë si i dyshuari kryesor për vrasjen e Mario Majollarit. Prokuroria do të kërkojë sot masën arrest me burg për Kastriot Gjuzin. Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtorin e tij.

Mbrëmjen e 10 prillit teksa Mario Majollari ishte duke u kthyer në shtëpi iu bë atentat me 3 plumba duke e lënë të vdekur. Të nesërmen policia shpalli në kërkim Kastriot Gjuzin si të dyshuar kryesor për këtë vrasje.

Pas hetimeve u arrit në pistën se atentati ndodhi për hakmarrje pasi në vitin 2000 babai i Mario Majollarit, Avni Majollari vrau Ilir Gjuzin, vëllain e Kastriot Gjuzit, si dhe Armando Nelajn./b.l/noa.al/