Transmetuar më 22-04-2018, 08:51

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga shpërthimi që tronditi mbrëmjen e djeshme qytetin e Fierit ku mbeti i plagosur 38 vjeçari Ervin Memo, pasi makina e tij u hodh në erë. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:55 në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Grecallkisë".

Mësohet se familja Memo, ka qenë palë në disa procese gjyqësore për prona të trashëguara në qytetin e Fierit, një nga pistat ku po heton policia.

Ndërkohë nga këqyrja e kamerave të sigurisë së bizneseve përreth nuk është pikasur asnjë person i dyshuar që mund të ketë lidhje me vendosjen e eksplozivit, të paktën orët e fundit përpara shpërthimit.

Dyshohet se shpërthimi ka qenë i telekomanduar, pasi makina tip “Benz” me targa AA270IV nuk lëvizte prej kohësh nga vendi ku ishte parkuar, për faktin se ishte në shitje.

38 vjeçari i plagosur nuk e përdorte atë, vetëm se herë pas here e ndizte për të evituar defektet, moment kur ka shpërthyer edhe eksplozivi.

Memo është dërguar në spitalin Rajonal dhe mjekët e kanë vlerësuar gjendjen e tij jashtë rrezikut për jetën. Policia dhe grupi hetimor po punojnë ende për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve./b.l/noa.al/

Eksplozivi i makinës në Fier, kush është shoferi i plagosur që ndodhej brenda

Tronditet Fieri! Shpërthim me tritol në një makinë, një person i plagosur