Transmetuar më 21-04-2018, 10:58

Dy fëmijë shqiptarë janë zhdukur në mënyrë të mistershme në Gjermani. Ambasada e Kosovës në Gjermani reagoi zyrtarisht mbi ngjarjen paraditen e sotme, lidhur me fëmijët e zhdukur mëngjesin e së enjtes.

Të zhdukurit janë dy vëllezërit nga Kosova, Qendrim Nimonaj 13 vjeç dhe Leutrim Nimonaj, 11 vjeç, të cilët jetojnë në Borsdorf afër Leipzigut.

Armend Zemaj, ambasador i Kosovës në Gjermani, në deklaratën zyrtare thotë se familja Nimonaj, i përket komunitetit rom dhe është nga komuna e Klinës.

Bëhet me dije se qysh prej vitit 2014, ata ndodhen si azilkërkues në Gjermani.

Por nga verifikimet e kryera, në sajë të bashkëpunimit mes autoriteteve gjermane me ambasadën e Kosovës dhe komunikimit të vazhdueshëm telefonik me nënën e tyre, është bërë e mundur gjetja e të miturve.

Më konkretisht ata janë gjetur tek xhaxhai i tyre, ndërsa dyshohet për largim të qëllimshëm.

Mësohet se babai i tyre, ishte deportuar në Kosovë para disa ditësh, bashkë me pesë fëmijët.

Por në Gjermani, kishte mbetur nëna shtatzënë me tre fëmijë të tjerë, dy prej të cilëve ishin zhdukur në rrethana të mistershme, mëngjesin e së enjtes. /a.y/noa.al