Transmetuar më 20-04-2018, 19:52
Publicitet

Me gjithë premtimet e përsëritura se do gjendet një zgjidhje për probemet e naftatarëve të Ballshit dhe Fierit që punojnë për ish-kompaninë shtetërore “ARMO”, duket se qeveria është dorëzuar. Të paktën këtë la të kuptohet kryeministri Edi Rama nga Fieri kur deklaroi se problemi i “ARMO-s” është mes privatëve dhe qeveria nuk mund të bëjë dot gjë jashtë vullnetit të tyre.

Ai tha se ecuria e uzinës së Ballshit do të varet nga disponibiliteti i “Bankers” për të furnizuar me lëndë të parë “ARMO-n”.

“Bëhet fjalë për një sipërmarrje private dhe marrëdhënie privat me privat. Qeveria i ka të kufizuara mundësitë për t’i dhënë zgjidhje nga lart situatës. Problemi gjithmonë lidhet jo vetëm me bankën dhe situatën financiare të trashëguar të kompanisë, por edhe me furnizimin. Pra, ecuria e projektit të çdo investitori në rafineri lidhet me garancinë e furnizimit që vjen nga kompania “Bankers”. Në këtë aspekt ne përsëri kemi bërë përpjekjet tona për të ndihmuar për furnizimin, por është një marrëdhënie mes dy kompanive private dhe në fund të ditës është çështje çmimesh”, deklaroi ai.

Por pavarësisht se qeveria nuk jep asnjë garanci për tejkalimin e problematikave, ndryshe nga sa ka ndodhur më parë, Rama shprehet optimist për zgjidhjen e çështjes. Ai thotë se qeveria do luajë rolin e saj si ndërmjetësuese.

“Shpresoj që procesi të finalizohet dhe puna të rifillojë dhe të mos kemi probleme. Është një vatër vulnerabël dhe gjithmonë shkakton probleme për shkak të qëndrueshmërisë së furnizimit. Por, së fundmi është inkurajuese dhe shpresojmë që të përfundojë me sukses. Ajo që kemi parë me vëmendje është që punonjësit që janë përfshirë në një sindikatë në atë kompani të trajtohen ashtu siç e meritojnë dhe të ketë një kontratë ashtu siç duhet për t’i garantuar ata. Kemi ecur edhe me pagesën e papunësië dhe statusin e naftëtarit”, deklaroi kreu i Qeverisë./a.m./noa.al/