Transmetuar më 20-04-2018, 16:17

Përpos debatit të ashpër politik që ka shkaktuar, Kryeministri Edi Rama tha sot se së shpejti do të ndërtohet inceneratori i përpunimit të mbetjeve për rajonin e Fierit.

Në një konferencë për mediat, pas mbledhjes së qeverisë në këtë qytet, kreu i qeverisë e listoi këtë si një prej vendimeve më të rëndësishme që u morën këtë të premte nga Këshilli i Ministrave.

“Një tjetër projekt është edhe administrimi i inceneratorit të rajonit të Fierit, që i jep zgjidhje përpunimit të mbetjeve urbane, por çel edhe rrugën e prodhimit të energjisë së gjelbër për zonën”, tha Kryeministri.

Duke folur për ndërhyrjet në infrastrukturë, Rama u ndal në disa vendime që konsistojnë në ndërhyrje në zonat e plazhit, si dhe ndërtimi i by pass-it të Fierit.

“Sot kemi miratuar një dokument orjentimi të zhvillimit përmes projekteve publike dhe paketë ndërhyrjesh prioritare në këtë qark, për 2018-2021.

Një pikë të veçantë në këtë dokument, është mbështetja e sektorit të turizmit, me Apolloninë dhe Ardenicën, si dy qendra të rëndësishme dhe me potencial për të nxitur zhvillimin e turizmit. Përfundimi i by pass-it të Fierit, një plagë e hapur prej disa vitesh, pas zgjidhjes së një kontrate katastrofike, me një vlerë të konsiderueshme financiare, si dhe ndërtimi i rrugës Fier-Seman, janë dy projekte që do të fillojnë së shpejti”, tha Kryeministri, duke nënvizuar edhe avancimin me projekte në fushën e energjisë. /k.k/noa.al