Transmetuar më 20-04-2018, 15:58

Vendimi i Gjykatës së Apelit Shkodër, për 11 të arrestuarit kuksianë, është shoqëruar me reagime të politikanëve në vend, ku kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka deklaruar se lënia në burg e katër protestuesve, vërteton frikën dhe pabesinë e Edi Ramës.

“Pabesia dhe frika e Edi Ramës vazhdojnë të mbajnë në mënyrë krejtësisht antiligjore në burg protestuesit kuksianë”, ka shkruar Kryemadhi në Facebook.

Sipas saj, është e papranueshme që të arrestohen qytetarë që protestojnë kundër taksave të ngritura, ndërsa shtoi se u vërtetua që drejtësia është vegël e Edi Ramës.

Për znj. Kryemadhi, “procedurat e ndalimit të protestuesve, mënyra se si u shoqërua dhe gjykimi i politizuar janë tregues i qartë i një pushteti të ri në duart e narkoqeverisë”.

Sa i përket qasjes së opozitës, ajo tha se “nuk do të lejojë maskaradën e kryeministrit që po tallet dhe që po luan me jetën e shqiptarëve të pafajshëm, që rëndohen çdo ditë e më shumë nga taksat e oligarkëve dhe burgosen padrejtësisht nga të komanduarit e Edi Ramës”.

Kryemadhi e mbyll shkrimin duke siguruar mbështetje për kuksianët, deri në lirimin e tyre. /k.k/noa.al/