Transmetuar më 20-04-2018, 15:40

Arritje të protestës qytetare e ka quajtur Lulzim Basha vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër, për të liruar 7 nga 11 të arrestuarit protestues në Rrugën e Kombit.

Në një reagim në Facebook, kryedemokrati ka shkruar se “kjo drejtësi gjysmake është padrejtësi”.

Sipas tij, ka një paradoks teksa katër kuksianë mbahen në burg, dhe trafikantët futen në Parlament.

“Vendimi i sotëm për lirimin nga arresti të 7 prej kuksianëve të grabitur nga shtëpitë e tyre me urdhër të Edi Ramës, është arritje e protestës dhe rezistencës së qytetarëve.

Por kjo drejtësi gjysmake është në fakt padrejtësi, sepse 4 kuksianë mbahen në qeli, ndërkohë që trafikanti ndërkombëtar i drogës Sajmir Tahiri është në parlament”, shkruan Basha.

E gjitha kjo, sipas tij, “është thelbi i regjimit të Edi Ramës: burg për popullin që ngrihet kundër grabitjes, liri për kriminelët që mbajnë Edi Ramën me paratë e drogës dhe vota të blera”.

Lideri i opozitës paralajmëroi të tjera protesta, duke thënë se PD do jetë në krah të popullit.

“Ndaj protesta dhe qëndresa qytetare do të vazhdojë. Nga fati i kësaj beteje varet e ardhmja europiane e Shqipërisë. PD është në krah të njerëzve, është në krah të popullit”, përfundon Basha. /k.k/noa.al/