Transmetuar më 20-04-2018, 14:12

Ndërsa Gjykata e Apelit në Shkodër, pritet të japë vendimin pas shqyrtimit të masës së sigurisë për 11 protestuesit e Rrugës e Kombit që u mbajtën në burg, kryebashkiakja e qytetit verior e ka ndjekur nga afër seancën.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka publikuar fotografi direkt nga salla e gjyqit

“Direkt nga salla e gjyqit ku “Drejtësia” është përballë sfidës së pavarësisë. Prej më shumë se 2 orësh vazhdon gjyqi i 11 qytetarëve kuksianë në Gjykatën e Apelit në Shkodër”, shkruan ajo në Facebook.

Më tej shton se, avokatët mbrojtës dhe vetë të arrestuarit japin prova dhe fakte për paligjshmërinë e arrestimit te tyre nga policia.

Sipas Ademit, “drejtësia” sot është përballë një sprove për të treguar se është e pavarur dhe e pandikuar nga politika.

“Falenderim për qytetarët shkodranë për mbështetjen që nga mëngjesi të 11 kuksianëve duke qëndruar para gjykatës. Falenderim edhe për PD, grupin parlamentar dhe opozitën për praninë e tyre në Shkodër”, shkruan Ademi.

Pak ditë më parë sipas vendimit që u dha në Gjykatën e Tiranës, por nga gjyqtarë të Kukësit, u lanë në burg: Xhevahir Hereni, Elton Cenku, Florin Onuzi, Shkëlqim Vata, Xhevahir Gashi dhe Elvis Oruçi, Rasim Onuzi, Abdi Haziraj dhe Vasil Laci, Edmond Matmuja dhe 20 ditë burg për Shpëtim Totën.

Gjykata vendosi “detyrim paraqitje” për Ahmet Toblin, Lulzim Popën, Saimir Trotën, Lefter Trexhmatin, Adem Durakun dhe Armand Ademin, Ardit Alidinin, Zenel Matmujan, Fatos Harullën, Rasim Koloshin dhe “arrest shtëpie” për Shaban Selmanin dhe Shemsi Trotën. /a.y/noa.al

Gjyqi në Shkodër, 11 kuksianët e arrestuar përshëndesin me pranga në duar

Gjyqi për protestuesit kuksianë, gjykata e rrethuar nga policë dhe qytetarë

Vendimi për 11 kuksianët, protestuesit mblidhen pranë Gjykatës në Shkodër, hedhin tymuese