Transmetuar më 20-04-2018, 11:40

Kryeministri Edi Rama thotë se arsimi profesional është një alternativë punësimi për të rinjtë në tregun e punës.

Duke folur sot në “Panairin e aftësive”, Rama tha se synohet që në arsimin profesional të shkojnë sa më shumë të rinj.

“Shkalla e punësueshmërisë të nxënësve që diplomohen në arsimin profesional është 20% më e lartë se ajo e nxënësve me arsim të mesëm të përgjithshëm. Statistikat tregojnë qartë se edhe vlera e pagës së parë për nxënësit që mbarojnë në arsimin profesional, është më e lartë se e atyre që mbarojnë arsimin e mesëm të përgjithshëm”, u shpreh Rama.

Sipas tij, 20% më e lartë është mundësia e punësimit të atyre me arsim profesional, edhe në raport me ata me arsim të lartë.

Në këtë drejtim ai shtoi se kjo gjë lidhet me urinë e madhe që ka tregu për zanatçinj.

“Ne do të vazhdojmë ta nxisim shumë fort arsimin profesional. Sot kemi më shumë nxënës të mirë që kanë zgjedhur arsimin profesional. Në këtë rrugë jemi së bashku, qeveria, kompanitë dhe partnerët tanë”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se është një bashkësi e domosdoshme, pasi partnerët sjellin dije, sjellin eksperiencë dhe kompanitë krijojnë hapësira dhe mundësi në një proces ku reforma e arsimit profesional ka vendosur si parim themelor ndarjen e orëve mes shkollës dhe vendit të punës.

Sipas tij, teknologjitë e reja dhe nxitja e të rinjve për të ndjekur në rrugën e tyre të arsimit profesional rritjen e kapaciteteve në funksion të përdorimit të teknologjive të reja, janë pjesë e një faze të re, në një rrugë që vazhdon.

Ai tha se arsimi profesional është një rrugë e sigurtë drejt punësimit real. /a.y/noa.al