Transmetuar më 20-04-2018, 09:39

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë sot vendimin për prokuroren e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani. KPK ka shkarkuar nga detyra Prokuroren e Shkodrës, për shkak të problemeve të saj me deklarimin e pasurisë.

Figura e Prokurores u mor në shqyrtim me përparësi për shkak se ajo kandidon për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Pas seancës së pak ditëve më parë sot është dhënë vendimi për Nikëhasanin.

Sipas relacionit të përgatitur nga KPK lidhur me pasurinë e prokurores thuhet se të dhënat e marra nga ILDKP-ja e nxjerrin ‘të pastër’.

“Prokurorja ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, nuk e ka fshehur. Nga shqyrtimi rezultoi se kishte burime financiare të ligjshme”, thuhet në raportin e ILDKP-së.

Por vetë KPK-ja ka bërë hetimin e saj të thelluar nga ku del se Prokurorja ka disa pasuri problematike si blerja e një apartamenti në Tiranë prej 90 mijë euro dhe shlyerja për vetëm 10 vite, 1 apartament dhe 2 garazhe në Lezhë si dhe 1 makinë 19 mijë euro të blerë me argumentin se i duhej për shkak se ka 3 fëmijë dhe lëviz shpesh nga Lezha në Shkodër.

Edhe për këtë prokurore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte mjaftuar vetëm me kontrollin e pasurisë, pa u thelluar në dy komponentët e tjerë të kontrollit profesional apo integritetit.

Deri tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kaluar në sitë tre gjyqtar dhe një prokuror ndërkohë që në pritje janë afro 800 gjyqtarë dhe prokurorë në të gjithë vendin, teksa po ashtu janë larguar nga sistemi 16 gjyqtarë e prokurorë./b.l/noa.al/