Transmetuar më 19-04-2018, 19:52

Në Gjykatën e Apelit të Shkodrës nesër do të mbahet seanca për 11 kuksianët e arrestuar pas protestës në rrugën e Kombit, ndaj e gjithë Partia Demokratike ka vendosur të zbarkojë në Shkodër për të ndjekur ecurinë e procesit gjyqësor.

Deputeti i PD-së për qarkun e Shkodrës, Bardh Spahia u bëri sot thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës nesër kundër gjyqeve politike që sipas tij kujtojnë kohën e diktaturës.

"Të dashur miq, qytetarë të Shkodrës. Nesër paradite në Shkodër, tek Gjykata e Apelit zhvillohet gjyqi ndaj 11 të arrestuarve për protestën e Kukësit. Nderi dhe tradita e Shkodrës e do që të jemi sa më shumë dhe të reagojmë sa më fort në mbështetje të tyre dhe kundër gjyqeve politike të cilat na kujtojnë kohët më të errëta të Shqipërisë dhe me të cilat Shkodra dhe shkodranët nuk janë pajtuar as gjatë diktaturës më të egër", shprehet ai.

Nesër pritet të jetë një situatë e tensionuar në Shkodër pasi përpos protestës nga ana e qytetarëve do të jenë të pranishëm edhe një pjesë e madhe e deputetëve të Partisë Demokratike.

"I gjithë grupi parlamentar i PD-së do jetë aty. Sytë, mendja dhe zemra e çdo demokrati kudo ku ndodhet nesër do jenë në Shkodër. Le të jemi sa më shumë nesër në ora 10 tek Gjykata e Apelit”,- thotë deputeti i djathtë.

Prej një muaji 11 kuksianë mbahen në burg pas protestës së mbajtur në rrugën e Kombit, ku u dëmtuan edhe kabinat e pagesës së tarifës së kalimit.

Për opozitën ata po mbahen padrejtësisht në burg pasi sipas tyre, arrestimi i të akuzuarve është bërë në shkelje të ligjeve. /m.sh/noa.al/