Transmetuar më 19-04-2018, 13:20
Publicitet

Presidenti Ilir Meta i akordoi, në një ceremoni të veçantë, ish-Kryeministrit të Italisë, Massimo D’Alema, Dekoratën “Nënë Tereza”.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Meta i shprehu mirënjohjen D’Alema për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe të jashtëzakonshme në procesin e integrimit euroatlantik dhe evropian të Shqipërisë.

“Të gjithë shqiptarët që ndiqnin dikur fshehurazi, e pas viteve ‘90 hapur e plot pasion, muzikën, sportin, artin dhe jetën publike në Italinë fqinje, e kanë të ngulitur mirë në mendje emrin dhe personalitetin e Massimo D’Alemës. Ai është një nga figurat kryesore të politikës italiane, pagëzuar edhe me emrin “lider maximo”, për vizionin, kurajën dhe përpjekjen e palodhur për të reformuar të majtën dhe në tërësi politikën italiane”, tha Presidenti.

Gjithashtu, ai vlerësoi edhe mbështetjen historike që Qeveria e drejtuar nga z. D’Alema dha për ndalimin e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë si edhe ndihmën e jashtëzakonshme humanitare në mbështetje të një milionë qytetarëve të shpërngulur nga lufta.

“Massimo D’Alema do të mbante pozicione kyçe në politikën dhe qeverinë italiane në momente të vështira të historisë sonë, në kohën e ndërhyrjes së NATO për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë dhe pastrimit etnik. Ndonëse me kundërshtime të forta brenda koalicionit të së majtës që drejtonte Italinë, Qeveria e tij luajti rol kryesor në mbështetjen e aksionit historik të NATO-s që kontribuoi për lirinë e Kosovës dhe paqen në rajon”, shtoi Presidenti i Republikës.

Ndër të tjera, Presidenti Meta tha se D’Alema ka pasur një rol të rëndësishëm dhe ka dhënë një kontribut të veçantë në forcimin e miqësisë midis dy vendeve dhe popujve tanë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Kryeministri Edi Rama, Ministri për Punët e Jashtme dhe Evropën, Ditmir Bushati, deputetë, ish-ministra, përfaqësues të trupit diplomatik, etj. /a.y/noa.al