Transmetuar më 19-04-2018, 13:12

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00 në lagjen San Fruttuoso të Genovas në Itali. Një grindje për motive xhelozie është shndërruar në një dramë në familjen e një çifti emigrantësh shqiptarë.

Sipas medieve italiane, 50-vjeçari shqiptar Arben Kosova ka goditur disa herë me thikë në gjoks gruan e tij Vojsava Kosova, 40-vjeçe.

Kanë qenë fqinjët e çiftit shqiptar të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe ambulancën e cila ka transportuar me urgjencë gruan e plagosur në spitalin San Martino, ku raportohet se gjendja e saj shëndetësore është kritike.

Ndërkohë me mbërritjen e karabinierëve në vendin e ngjarjes është bërë i mundur arrestimi i 50 vjeçarit shqiptar, i cili pas krimit, është gjetur i gjunjëzuar mbi trupin e gruas së gjakosur.

Arben e Vojsava Kosova me origjinë nga Berati janë prindër të dy fëmijëve. 50-vjeçari shqiptar me profesionin murator është arrestuar me akuzën e tentativës së vrasjes. Çifti shqiptar jeton prej vitesh në Itali dhe kanë marrë nënshtetësinë italiane./b.l/noa.al/