Transmetuar më 19-04-2018, 11:38

Rikthimi në Parlamenti i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, shkaktoi reagime të shumta ditën e sotme, aq sa opozita braktisi seancën.

Por teksa u ul në fund të sallës, drejt Tahirit u afruan për ta takuar dhe përqafuar dy ministre.

Më konkretisht ai u përqafua nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ajo e Arsimit Lindita Nikolla dhe ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Por situata u tensionua në sallë kur ish-Kryeministri Sali Berisha u ngrit në këmbë dhe kërkoi që deputetët të mos qëndrojnë në sallë bashkë me Saimir Tahirin.

“Nxirreni jashtë, se po kremtoni raportin me njeriun kryesor të drogës në Ballkan bashkë me Ramën, nxirreni jashtë! Mos festoni me të more zotëri. Atëherë ftoni edhe Habilajt dhe Balilin, të vijnë këtu”, tha Berisha.

Madje Berisha e ka filmuar gjatë gjithë kohës Tahirin, duke e publikuar videon në Facebook, teksa ky i fundit buzëqeshte.

Ish-ministri i Brendshëm ka regjistruar fjalën dhe pritet që pas muajsh të tërë tërheqje, i zgjedhuri deputet në radhët e Partisë Socialiste, tashmë rikthehet dhe mban fjalë në Kuvend si deputet i pavarur, ku për 20 minuta do të flasë për ligjin e Prokurorisë.

Tahiri u përjashtua nga radhët e PS, pas hetimeve ndaj tij si i përfshirë në trafik droge, i dyshuar i lidhur me bandën e “Habilajve”.

Edhe një javë më parë ai kërkoi fjalën, por nuk mundi të flasë, për shkak të tensionimit të seancës, pasi opozita hodhi miell, vezë e ujë drejt Kryeministrit Edi Rama, ku kërkoi lirimin e të arrestuarve për Rrugën e Kombit.

Tahiri u përjashtua nga grupi i PS, në tetor të vitit 2018, ku Kryeministri Edi Rama deklaroi se “do të jetë deputet i lirë” dhe le të kërkojë të vërtetën e tij me drejtësinë. /a.y/noa.al