Transmetuar më 18-04-2018, 17:21

Ministri i Jashtëm ka komentuar vizitën e shefes për Politikat e Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini.

Kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati e konsideron plotësisht të merituar rekomandimin e KE-së për negociatat me Shqipërinë.

“Vizita e Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së në Tiranë, Federica Mogherini, me rastin e publikimit të rekomandimit të Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim ne BE-në, shënon një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe kapitullin e ri që po hapim. Mesazhet e kësaj vizite janë të qarta për këdo. Rekomandimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE është plotësisht i merituar dhe vjen si pasojë e fruteve të korrura në fushëbetejën e vështirë të reformave shtet ndërtuese dhe shtet konsoliduese”, ka shkruar Bushati në Facebook.

I vetëdijshëm se ky hap nuk është fundi i gjithçkaje, Bushati shkruan se faza e ardhshme do të jetë më e vështirë.

“Rekomandimi nuk është fundi i kësaj fushëbeteje. Por futja në një fazë të re edhe më impenjative që kërkon ritëm dhe cilësi edhe më të madhe për reformat që do të ndërmerren. #PunaVijon”, përfundon statusi i tij. /k.k/noa.al/