Transmetuar më 16-04-2018, 21:46
Publicitet

Ish-deputeti demokrat, Astrit Patozi tha se nuk është statuti i Partisë Demokratike. Patozi tha se kur një parti shkel statutin për vite me rradhë ka një problem shumë të madh me ekuilibrat e brendshëm. Në studion e News 24, Patozi theksoi se statuti është kalçifikimi i pengmarrjes së Partisë Demokratike.

“Po tentohet t’i servilet publikut një pseudo-reflektim i PD-së, gjë që në realitet nuk po ndodh. i vetmi njeri që është jashtë anturazhit të z. Basha është Genti Malko dhe ai nuk ishte njoftuar për ndryshimet në statut. Po kështu ndryshimet nuk i japin përgjigje pyetjes nëse e jep dorëheqjen Kryetari i partisë nëse humbet zgjedhjet apo çfarë përgjegjësie mban ai për humbjen? Ne kemi një statut shumë të mirë, por askush nuk e ndaloi z. Basha për të pasur marrëveshje personale, lista personale apo vendimmarrje personale”, tha Patozi.

Sipas tij, edhe sikur të kemi një statut shumë të mirë me miratimin në fund të muajit, ne duhet të presim 3 vjet për të parë nëse Lulzim Basha do t’a zbatojë apo jo atë, sikundër ka ndodhur deri më tani. “Gjykoj se anëtarët e PD-së nuk kanë kohë të presin 3 vjet nëse Basha do e katranosë më shumë partinë sec e ka katranosur deri më tani”, theksoi Patozi.

Ai u shpreh se është një anëtar i thjeshtë i PD-së dhe nuk është anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të kësaj partie. “Lulzim Basha kur bëri 4 vite më parë statutin që e shkeli vetë, bëri ndryshimin që deputetët nuk kishin nevojë të zgjidheshin, por do ishin direkt anëtar të Këshillit Kombëtar. Siç duket ai e ka pasur parasysh faktin që kur të vinte momenti që deputetët të ekzekutoheshin pa gjyq, nuk do ishin më anëtarë të Këshillit Kombëtar”, tha Patozi.