Transmetuar më 16-04-2018, 13:01

Deputeti demokrat Edi Paloka, reagon ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj i cili tha sot nga Elbasani se grupet kriminale janë identifikuar dhe se “do u nxihet jeta”.

Në një komunikim me gazetarët, Paloka tha se është gjë e mirë që, pas 5 vjetësh në pushtet, qeveria thotë se ka skeduar grupet kriminale dhe do t’i godasë, por sipas tij, ky është një film i parë 5 vjet më parë.

“Atëherë u premtua se brenda 300 ditëve do të vendosej rendi dhe siguria dhe krimit do të shtypej, por ajo që ndodhi ishte kanabizimi i vendit dhe një ministër i Brendshëm në krye të trafikut të drogës, që sot duhet të ishte në burg”, u shpreh Paloka.

Ai shtoi se sot, Fatmir Xhafaj duhet të japë përgjigje:

-A e ka skeduar të vëllanë Agron Xhafaj, të dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar kokaine dhe aktualisht është një nga kokat e trafikut të drogës në Vlorë?

-A e ka skeduar grupin e Arbër Çekaj, të drogës kolumbiane, ku bën pjesë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit?

-A e ka regjistruar grupin e Qazim Sejdinit dhe dhëndrit të tij në Elbasan, ku përfshihet edhe kompania e gruas së Sejdinit, që është nën hetim për trafik droge?

-A e ka regjistruar grupin e Lulzim Berishës dhe Emiljano Shullazit?

Sipas tij, nëse vërtet do që të luftojë krimin e organizuar dhe lidhjet me qeverinë e Ramës, përgjigjet për këto pyetje Fatmir Xhafaj duhet t’i bëjë publike dhe t’i kërkojë ndihmë çdo qytetari që ta ndihmojë. /a.y/noa.al

Xhafaj në Elbasan: I njohim shumë mirë grupet kriminale, do ua nxijmë jetën