Transmetuar më 16-04-2018, 12:50

Kryetari i Partisë Demokartike, Lulzim Basha ka publikuar ditën e sotme një video ku tregohen pamjet që vërtetojnë rrëmbimin e qytetarëve kuksianë në mes të natës dhe sipas tij dëshmojnë se arrestimet e tyre janë bërë në mënyrë të paligjshme, dhe më pas policia dhe prokuroria kanë falsifikuar në bashkëpunim me njëra-tjetrën dokumentat zyrtare.

“Ky është një krim shtetëror i kryer me ftohtësi kriminale dhe në bashkëpunim kriminal mes policisë dhe prokurorisë! Ky krim shtetëror tregon qartë se në Shqipëri është instaluar një polici dhe prokurori politike dhe ekstraligjore, e cila shkel dhe dhunon të drejtat kushtetuese të qytetarëve shqiptarë sepse është vënë në shërbim të regjimit të Edi Ramës. Misioni i këtyre institucioneve të kapura nuk është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, por lufta kundër çdokujt që rrezikon apo kundërshton regjimin e Edi Ramës”, shkruan Basha. 

Më tej ai shton se krimi shtetëror i rrëmbimit dhe burgosjes së paligjshme të qytetarëve të pafajshëm kuksianë duhet të ndëshkohet.

“Kjo është thirrje për një reagim popullor kundër padrejtësisë ndaj kuksianëve kurajozë që mbahen si kriminelë në burg, ndërkohë që kriminelët e vërtetë janë të lirë. Ne jemi me kuksianët. Ne jemi me popullin. Ky regjim kriminal duhet të ndalet dhe se bashku duhet të rivendosim demokracinë, drejtësinë dhe dinjitetin e njerëzve të thjeshtë”, tha Basha.

Të njëjtën gjë ka pohuar edhe deputeti demokrat Edi Paloka, ku shprehet se qytetarët e Kukësit të cilët protestuan për tarifën në Rrugën e Kombit janë arrestuar nga ora 01:50 e natës.

“Sot kemi disa prova që  tregojnë se qytetarët e Kukësit janë rrëmbyer në kundërshtim me ligjin enë mes të natës. Asnjë shtet nuk mund ta bëj këtë rrëmbim.Për kryeministrin Rama nuk do të ketë qetësi derisa qytetari i fundit i Kukësit të mbahet në mënyrë të padrejtë në burg. E ka pranuar me gojën e tij që fajtori ishte vetë ai, ndërkohë qytetarët e Kukësit janë në burg. 

Të jetë i bindur Rama se ne si opozitë në çdo moment do të vazhdojmë  të jemi në krah të qytetarëve kuksianë, atyre që protestuan për të drejtën e tyre dhe sidomos të këtyre që sot mbahet padrejtësisht në burg.

Derisa i fundit i tyre të lirohet nuk do të ketë qetësi për Edi Ramën. Dhe qëndrimet tona jo vetëm në parlament, do të jenë të lidhura me drejtësinë ndaj qytetarëve të Kukësit”, shprehet Paloka./b.l/noa.al/