Transmetuar më 16-04-2018, 12:41

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu, thotë se Edi Rama nuk ka bërë asgjë për minatorët, por vetëm video-konferenca dhe mashtrime për ta.

Ai doli në një komunikim për mediat ditën e sotme, teksa Kryeministri mbante një video-interpelancë me minatorët.

“Dy ditë më parë një 37 vjeçar humbi jetën tragjikisht në galeritë e Bulqizës. Pa ditë më parë një tjetër u vra aksidentalisht në atë të Klosit. 6 minatorë janë vrarë në 6 muajt e fundit në galeritë e këtyre zonave. Këto fatkeqësi bëhen akoma dhe më të rënda kur lënë pas familje pa asnjë mbështetje financiare pa asnjë të ardhme, pa asnjë shpresë. Kur fëmijë të mbetur jetimë nga humbja e prindit rrezikojnë edhe ndihmën ekonomike pasi babai mund t’ju ketë lënë një shtëpi apo dhe makinë”, u shpreh Spahiu.

Ai tha se situatën e tyre mund ta lehtësonte vetëm statusi i minatorit duke iu siguruar një minimum jetik këtyre njerëzve të punës më të vështirë dhe më të rrezikshme për jetën, që kanë dhënë kaq shumë për ekonominë e këtij vendi.

Sipas tij, kanë kaluar rreth 3 muaj që kur kjo qeveri dhe ky kryeministër ka rrëzuar Statusin e Minatorëve.

Spahiu deklaroi se, mes votuesve që ngritën dorën kundër ishin mjaft deputetë të zgjedhur nga minatorë në të gjithë Shqipërinë.

Në këtë linjë shtoi se mes tyre është edhe gënjeshtari më i madh i minatorëve të Përrenjasit, kryetari i grupit parlamentar të Rilindjes.

Ndër të tjera deklaron se qeveria nuk dha asnjë argument bindës se përse e rrëzoi këtë status, i depozituar në Kuvend që në mars 2017 dhe i ngjashëm me atë të naftëtarit.

“Gënjeu dhe vazhdon të gënjejë që shumë shpejt do të dorëzojë propozim për minatorët. Por përveç zvarritjes disa mujore asgjë nuk ka sjellë deri tani. Pushteti vret për statusin e tij të ndenjiess në karrigen e pushtetit. Ndërsa statusi i minatorit mbetet “hallexhi” i dënuar me vdekje. Kryeministri i sotëm dikur Kryetar opozite në 2011 përbetohej për minatorët. Ai u kërkonte votën banorëve të Bulqizës me premtimin që minatorët do të merrnin atë që u takon. Madje bënte thirrje që minatorët të bëheshin bashkë kundër sundimit të së keqes. E pamë edhe sot ku në vend që të shkonte te galeria ku minatori humbi jetën gjë që asnjëri se ka bërë, të kërkonte nga organet përkatëse, zbardhjen e ngjarjes e të shikonte me sytë e tij kushtet skandaloze ku minatorët punojnë na shfaqet në një video konferencë të shëmtuar a thua se ai dhe qeveria e tij akoma nuk e dinë se çfarë minatorët kërkojnë”, deklaroi Spahiu.

Në këtë linjë shtoi se minatorët u panë dhe do të vazhdojnë të shihen në protesta masive përpara kryeministrisë deri në miratimin e statusit. “Që të gjitha qeveritë ia kanë borxh. Valën e protestave këtë vit e nisën minatorët, e vazhduan naftëtarët, kuksianët e më pas biznesi i vogël”, tha ndër të tjera deputeti i LSI. /a.y/noa.al