Transmetuar më 16-04-2018, 10:14

Një person ka plagosur me thikë tre djem, pas një konflikti të momentit, mes tyre në lokal. Ngjarje e rëndë u shënua gjatë së dielës, në “Karbunarë” të Lushnjes, ku i dyshuari për plagosjen e trefishtë është shpallur në kërkim.

Më konkretisht, rreth orës 11:30 të ditës së djeshme, në një lokal në lagjen “Karbunarë”, pas një konflikti për motive të dobëta, E.Sh., 35 vjeç, ka tentuar të vrasë me thikë L.Ç., 20 vjeç, A.Ç., 23 vjeç dhe D.S., 15 vjeç banues në Karbunarë.

Tre të plagosurit si pasojë e plagëve të marra, u dërguan në spitalin e Lushnjes, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet e policisë, ka rezultuar se pas ngjarjes, 35-vjeçari E.Sh., është ndihmuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes nga Renato Pupi, i cili me mjetin tip “Benz” në pronësi të tij, e ka marrë nga vendi i ngjarjes dhe e ka ndihmuar për t’i shpëtuar kapjes nga policia dhe për tu fshehur.

Nga ana e uniformave blu u bë arrestimi i Renato Pupit, 28 vjeç, banues në Këmishtaj, Divjakë.

Gjithashtu u bë dhe sekuestrimi i automjetit tip “Benz”, në pronësi të Renato Pupit, si dhe po punohet për kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar.

Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Lushnjes, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, në ngarkim të E.Sh., dhe “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, për Renato Pupin. /a.y/noa.al

Foto ilustruese