Transmetuar më 15-04-2018, 18:57
Publicitet

Teksa është prezantuar para publikut në Amsterdam të Hollandës, këngëtari i njohur shqiptar, Eugen Bushpepa, ka shkëlqyer me këngën e tij “Mall”, e cila do të jetë përfaqësuesgja e Shqipërisë në edicionin e radhës së “Eurovizion”-it, në Lisbonë.

Kështu, “Mall”, kënga përfaqësuese e Bushpepës, tashmë po promovohet në disa prej qyteteve më në zë të Evropës dhe nga pritshmëritë e para, vlerësimet janë maksimale.

Sapo Genti ka dalë në skenë në Amsterdam dhe derisa ka përfunduar këngën “Mall”, publiku nuk e ka ndalur për asnjë moment entuziazmin.

Disa prej këtyre momenteve i ka publikuar në Instagram Eurovision Albania, duke ndarë edhe një pjesë të mirë të komenteve e reagimeve të fansave.

Kënga fituese e Festivalit të 56-të në RTSH, që do të prezantojë Shqipërinë për të 15-in vit radhazi në skenën e festivalit europian, ka marrë komente e vlerësime edhe në faqen zyrtare të Eurovizionit.

"Eurovision" këtë vit do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë në datat 8, 10 dhe 12 maj. Shqipëria e cila prezantohet nga Eugent Bushpepa do të performojë në natën e parë gjysmëfinale, 8 maj 2018./a.k/noa.al/