Transmetuar më 15-04-2018, 14:11
Publicitet

Pas thuajse tre vjetësh ping-pong me dosjen e famshme të “atentatit” ndaj Tom Doshit, duket se Gjykata e Lartë i ka dhënë drejtim çështjes, duke e transferuar përfundimisht te Gjykata e Tiranës.

Tom Doshi, Mark Frroku dhe shtetasi Durim Bami akuzohen për kallëzim të rremë për “atentatin” e supozuar ndaj deputetit.

“Panorama” mëson se në Gjykatën e Tiranës është hedhur edhe shorti dhe çështja do gjykohet nga gjyqtari Bledar Abdullai. Po kështu, seanca e parë do të mbahet më 15 maj të këtij viti.

Dosja e famshme qëndroi gjashtë muaj e bllokuar në Gjykatën e Lartë dhe më pas ka lëvizur sa atje në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe më pas sërish në Gjykatën e Lartë. Gjithë kjo amulli është krijuar për shkak të dispozitave kalimtare dhe kompetencave lëndore të gjykatave aktuale deri në krijimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Çështja në fjalë bëri bujë në vitin 2015, kur deputeti Tom Doshi tha publikisht se kishte buluar një atentat që do të bëhej ndaj tij.

Ai madje akuzoi për përfshirje edhe ish-kreun e LSI-së, Ilir Meta. Deputeti Doshi publikoi përmes mediave një intervistë të kryer nga ai vetë me Durim Bamin, i cili pretendonte se ishte porositur për të eliminuar fizikisht Doshin dhe ish-deputetin e PD-së, Mhill Fufin. Intervista e realizuar në banesën e deputetit shkaktoi shumë trazira politike, por për organin e Akuzës gjithçka ishte e rreme dhe tashmë, si Durim Bami ashtu edhe Tom Doshi janë nën akuzë për kallëzim të rremë.

Durim Bami u arrestua më 4.3.2015 teksa po përpiqej të shkonte në Malin e Zi. Pas arrestimit, ai është marrë në pyetje prej të paktën 10 orësh nga oficerët e Policisë Gjyqësore, lidhur me atentatin e supozuar ndaj Tom Doshit.

Para prokurorëve, ai ka thënë se ishte paguar për të eliminuar deputetin Tom Doshi dhe ish-deputetin e PD-së, Mëhill Fufi, por ishte penduar.

Me gjithë detajet që ka dhënë Durim Bami, hetuesit nuk janë bindur për skenarin dhe e vunë nën akuzë për “kallëzim të rremë”.

Durim Bami ka qenë një emër i lakuar për disa ngjarje kriminale, por që nuk janë provuar asnjëherë. Ka qenë dëshmia e ish-deputetit Mark Frroku, ajo që ka nxjerrë blof në një farë mënyrë Tom Doshin.

Ky i fundit, ka thënë në Prokurori se është sinjalizuar nga ish-deputeti për atentatin e supozuar.

Mirëpo, në dëshminë e tij në Prokurori, Mark Frroku ka mohuar versionin e Doshit, duke bërë që të ngrihen dyshime të mëdha për kallëzimin e deputetit Doshi se ndaj tij ishte planifikuar një atentat nga eksponentë të lartë të politikës.