Transmetuar më 15-04-2018, 13:24

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në një komunikim me mediat mesditën e sotme, publikoi të dhënat e ankesave nga portali “Shqipëriaqëduam.al”.

Ministrja komunikoi shkarkimin e 46 zyrtarëve në Hipoteka dhe te ALUIZNI, për shkak se nuk kanë kryer detyrën e tyre.

Po ashtu, Gjonaj bëri me dije se janë paralajmëruar edhe 18 zyrtarë të tjerë, për të cilët deklaroi se do të shkarkohen, në rast se nuk përmirësojnë punën e tyre.

Sipas saj, platforma e bashkëqeverisjes nxjerr përgjegjësinë e qartë për zvarritjet e kërkesave të qytetarëve në zyrat e shtetit, falë ankesave të atyre që nuk bëhen palë me korrupsionin dhe nuk rrinë duarkryq.

Gjonaj tha se janë 91 masa, nga të cilat 46 largime nga detyra dhe 45 masa disiplinore për zyrtarët hipotekave e ALUIZNI-t, janë rezultati i ri i bashkëqeverisjes me qytetarët.

“Ankesat e qytetarë janë zgjidhur brenda 10 ditëve. Por jemi të vetëdijshëm se ka ende punonjës që duhet t’i identifikojmë dhe t’i largojmë se bashku. Çdo kërkesë që ka lindur nga mos përgjegjshmëria e punonjësve të administratës, ka ndihmuar në largimin e tyre. Është kryer një analizë në këto muaj, që ka identifikuar punonjësit që kanë penguar zgjidhjen e kërkesave të qytetarëve”, u shpreh ministrja. /a.y/noa.al