Transmetuar më 14-04-2018, 23:56

“Aty ku ka dashuri, ka edhe xhelozi”, por një xhelozi të tillë si ajo e Erzenit për Norën nuk kishim parë asnjëherë. Historia e Erzenit dhe Norës kishte filluar 3 vite më parë kur ata ishin në gjimnaz. Koha që kalonin së bashku, takimet si edhe xhirot bënë që ata të dashuroheshin me njëri-tjetrin.

Por Erzeni ishte tepër xheloz. Ai nuk kishte dëshirë që askush t’i afrohej Norës, ta shikonte atë, ose t’i fliste asaj. Xhelozia e tij kishte arritur deri në atë pikë sa që kishte filluar t’i ndalonte Norës daljet me shoqërinë si dhe përdorimin e rrjeteve sociale.

Situatat e xhelozisë të tepruara nga ana e Erzenit e kishin mërzitur Norën, derisa në një moment ajo i kishte kërkuar që të mos e vazhdonin më lidhjen e tyre.

Erzeni ishte penduar për veprimet që kishte bërë dhe i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për t’i kërkuar falje për gjithçka. Ai i kërkoi Norës që të ktheheshin përsëri bashkë dhe që t’i jepte një mundësi të dytë. “Të premtoj që nuk do të jem më xheloz. E di që kam gabuar dhe për këtë gjë të kërkoj falje. Ajo që dua të të kërkoj është që të më japësh një mundësi të dytë.”

Nora e fali dhe tha: “Erzeni nuk e ka marrë ndonjëherë guximin për të më treguar se sa më do, por tani e shoh që është bërë guximtar. Ja vlen që çdokush të ketë një shans të dytë”.

Arbana Osmani për të vërtetuar nëse Erzeni kishte ndryshuar, e vuri përballë disa premtimeve, të cilat ai i pranoi deri diku. Gjatë premtimeve dukej qartë që Erzeni vazhdonte të ishte xheloz për Norën./Top Channel/