Transmetuar më 14-04-2018, 14:13

Partia Demokratike thotë se kryeministri Rama e anuloi vizitën e planifikuar dhe të njoftuar sot në Shkodër, duke u fshehur si një frikacak nga protesta që e priste. Me një deklaratë zyrtare, PD bën me dije se propaganda bajate nuk e mbulon dot frikën e Ramës nga shqiptarët.

“Edi Rama u fsheh si frikacak sot nga shkodranët, duke anulluar vizitën e bërë publike një ditë më parë nga mediat e kontrolluara prej tij. I çekuilibruar psikologjisht, për shkak të protestave që po e ndjekin deri tek dera e shtëpisë, Edi Rama gënjeu sot publikisht shqiptarët, kur tha se nuk kishte në plan të shkonte në Shkodër, por në Vlorë.

Propaganda bajate nuk e mbulon dot as frikën e Ramës as nga shqiptarët, as faktin se, në çoroditje e sipër nga protesta e shkodranëve, gazetarët e Vlorës u lajmëruan me urgjencë nga Bashkia për praninë e Ramës në ceremoni vetëm 10 minuta para nisjes së saj”, thuhet në deklaratën e PD.

Më tej në njoftim selia blu thekson se Kryeministria e ka shpërndarë njoftimin për axhendën e Edi Ramës në Shkodër tek disa nga gazetarët që mbulojnë aktivitetin e Ramës, tek Partia Socialiste e Shkodrës dhe deputetët e saj.

PD u bën thirrje mediave të publikojnë mesazhet e shpërndara nga kryeministria, të jenë në lartësinë e misionit të tyre për të informuar publikun me vërtetësi dhe paanshmëri.

Më herët zyra e shtypit e kryeministrisë deklaroi se kryeministri Rama nuk ka pasur asnjë plan për të vizituar qytetin e Shkodrës sot. Sipas Kryeministrisë, vizita e supozuar e Ramës në Shkodër është e shpikur nga PD.

"Kryeministri nuk ka pasur asnjë plan për të vizituar Shkodrën sot dhe vizita e tij e supozuar, është shpikur nga Partia Demokratike për të nxitur një tension të kotë në luftën e dëshpëruar me pafuqinë e saj. 

Sot kryeministri është në Vlorë për të marrë pjesë në takimin e planifikuar me rastin e 100-vjetorit të Shërbimit Stomatologjik në Vlorë, ku nëna e tij, Aneta Rama, do të nderohet nga Shoqata e Stomatologeve të Shqipërisë, si gruaja e parë në këtë shërbim" thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Ndërkohë sot në Shkodër, PD organizoi protestë me biznesin e vogël, nga ana tjetër ministri për Europën dhe Punët e Jashtme ndodhet në Shkodër./b.l/noa.al/