Transmetuar më 14-04-2018, 12:24

Pas lajmit që qarkulloi dje dhe deklaratës së sotme të deputetit të PD-së, në Shkodër, Bardh Spahia se kryeministri Rama e ka anuluar vizitën në këtë qytet nga frika e protestuesve, vjen reagimi zyrtar nga Kryeministria.

Zyra e shtypit e kryeministrisë deklaron se kryeministri Rama nuk ka pasur asnjë plan për të vizituar qytetin e Shkodrës sot. Sipas Kryeministrisë, vizita e supozuar e Ramës në Shkdoër është e shpikur nga PD. 

"Kryeministri nuk ka pasur asnjë plan për të vizituar Shkodrën sot dhe vizita e tij e supozuar, është shpikur nga Partia Demokratike për të nxitur një tension të kotë në luftën e dëshpëruar me pafuqinë e saj. 

Sot kryeministri është në Vlorë për të marrë pjesë në takimin e planifikuar me rastin e 100-vjetorit të Shërbimit Stomatologjik në Vlorë, ku nëna e tij, Aneta Rama, do të nderohet nga Shoqata e Stomatologeve të Shqipërisë, si gruaja e parë në këtë shërbim" thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Ndërkohë sot në Shkodër, PD organizoi protestë me biznesin e vogël, nga ana tjetër ministri për Europën dhe Punët e Jashtme ndodhet në Shkodër./b.l/noa.al/