Transmetuar më 13-04-2018, 22:03

Me anë të një deklarate në mbrëmje, Partia Demokratike ka denoncuar atë që e quan përdhosje të memorialit të Azem Hajdarit.

Siç duket edhe në këtë foto, në memorial është shkruar “Rroftë Enver Hoxha”.“Memoriali në kujtim të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, është përdhosur sot me shkarravinën-parullë “Rroftë Enver Hoxha”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Edhe në këtë rast, të djathtët bëjnë përgjegjës kryeministrin Edi Rama.

“Duke dënuar me forcë këtë akt të paprecedent, PD shpreh bindjen se frymëzuesit janë tek kryeministri që drejton vendin me metoda autoritariste dhe që shfaqet kudo me yllin e kuq bolshevik, të qepur në xhaketë.

Memoriali i Azem Hjadarit është dhunuar nga ata që mohojnë genocidin, kampet e torturave, glorifikojnë me emra rrugësh kriminelët dhe mbajnë yllin e kuq si simbol.

PD dënon rilindjen nga qeveria narko-enveriste e Edi Ramës të simboleve, mentalitetit dhe praktikës së diktaturës enveriste!

Endrra e dikurshme e Edi Ramës kryebashkiak për ta trajtuar Memorialin e Azem Hajdarit si një “lapidar pa leje që duhet shembur”, do të kthehet në makthin e një kryeministri që s’ka gardist që e mbron, nëse  fajtorët e këtij provokimi të pafalshëm nuk vendosen para përgjegjësisë.”, thuhet në deklaratën e PD-së. /k.k/noa.al/