Transmetuar më 13-04-2018, 17:39

Avokati i Popullit zj.Erinda Ballanca, i dorëzoi Presidentit Meta, Raportin Vjetor të punës për vitin 2017, dhe e njohu atë me aspekte të veçanta të veprimtarisë dhe prioriteteve të këtij institucioni.

Presidenti Meta, vlerësoi punën e bërë nga institucioni i Avokatit të Popullit ndër vite, dhe evidentoi faktin se ky institucion është një garant i rëndësishëm i të drejtave dhe i lirive të qytetarëve.

Avokati i Popullit është pjesë e atyre institucioneve të veçanta që me punën e tyre garantojnë dhe funksionalitetin e demokracisë, të shtetit ligjor dhe të të drejtave të njeriut, prandaj pritshmëritë dhe shpresat që kanë qytetarët tek ky institucion, duhen justifikuar me punë objektive dhe të pavarur.

Duke ofruar mbështetjen maksimale Presidenti Meta, theksoi se roli i Avokatit të Popullit është i pazëvendësueshëm, edhe për faktin se evidentimi i problematikës dhe rekomandimet e tij, për veprimtarinë e çdo institucioni publik, janë një nga mjetet që nxjerrin në pah të vërtetën, luftojnë padrejtësitë, e ushtrimit jo korrekt të pushtetit publik dhe rikthejnë besimin tek shteti i së drejtës./b.l/noa.al/