Transmetuar më 12-04-2018, 10:08

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, ka bërë një rrëfim prekës paraditen e sotme.

I pranishëm në një aktivitet të mbajtur me rastin e ditës ndërkombëtare të fëmijëve në situatë rruge, Lu, tregoi një histori nga periudha kur ka qëndruar në Indi.

“Përpara se të vija në Shqipëri, familja ime dhe unë jetonim në Indi. Sipas UNICEF në Indi ishin deri në 11 milionë në rrugë. I shikoja kudo që jetonin në rrugë. Fëmijët e mi bënin biseda të gjata me mua dhe gruan për përgjegjësinë që kishim për t’i ndihmuar këta fëmijë. Isha krenar për fëmijët e mia sepse kursyen qindra monedha duke siguruar para për këta fëmijë. E ndaj këtë histori me ju sepse Shqipëria ka pasur një problem për shumë vite, për të mbështetur fëmijët në rrugë”, u shpreh Lu.

Ai tha se, Shqipëria duhet të jetë e aftë ta zgjidhë problemin me mbështetjen e partnerëve, duke nënvizuar se janë vetëm disa qindra fëmijë dhe jo miliona.

Sipas ambasadorit, teksa vendi vazhdon t’i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Europian, uroi që Shqipëria të ndihmojë fëmijët e saj.

“Ata kanë të drejtë të shkojnë në shkollë, të mbrohen nga abuzimi. Siç më mësuan fëmijët e mia, jam gati të mbledh monedhat e mia për të mbështetur fëmijët e Shqipërisë”, deklaroi ambasadori amerikan. /a.y/noa.al