Transmetuar më 11-04-2018, 12:43
Publicitet

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në mbjelljen e 100 pemëve të tjera në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë, të dhuruara nga shoqëria e parë financiare e zhvillimit në Shqipëri.

Ai vlerësoi faktin se sot të gjitha institucionet, individët dhe bizneset kanë rritur përgjegjësinë e tyre sociale, duke kontribuuar për qytetin.

Veliaj tha se kjo zonë është pastruar nga të gjitha ndërtimet pa leje, është sistemuar dhe tashmë me gjelbërimin dhe korsitë e reja për vrapuesit dhe biçikletat krijon mundësinë që Parku të shfrytëzohet nga të gjithë.

“Jemi duke qëndisur gjysmën jugore të liqenit të Tiranës. E kemi pastruar nga zaptimet dhe pengesat që kanë ndërprerë zhvillimin e kësaj hapësire. Për të gjithë qytetarët që kalojnë në këtë investim të ri, që është ende kantier, është e pabesueshme se sa i madh qenka realisht Liqeni dhe besoj se është detyrim i gjeneratës sonë të lerë një ‘pajë’ për gjeneratën tjetër”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se krahas punës që po bëhet për të zgjeruar dhe rigjallëruar jetën në parkun e madh, Bashkia e Tiranës po punon për krijimin edhe të parkut të liqenit të Farkës, ku krahas mbjelljeve po investohet edhe në infrastrukturë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të mbjellë pemën e tyre dhe për të kontribuuar për gjelbërimin e qytetit.

 “Deri në datën 22 prill, në Ditën e Tokës, kemi mundësi të mbjellim pemë, më pas do vijojmë me aktivitete sportive dhe besoj që një Tiranë që është më e fokusuar tek puna, se sa tek dhuna, më e fokusuar tek gjërat konkrete se sa tek gjithologët, është Tirana që meriton çdo banor që ka zgjedhur ta jetojë jetën e vet në kryeqytet”, shtoi Veliaj. /a.y/noa.al