Transmetuar më 10-04-2018, 20:51
Publicitet

Nga Jorida Tabaku

Sot biznesi i vogël foli qartë duke mbyllur qepenat për një orë. Dhe kështu vepruan jo vetëm bizneset në Tregun e Madh të Medresesë por edhe bizneset e vogla në Durrës, Shkodër, Fier, Lezhë.

Një qeveri e logjikshme do të ishte e vëmendshme edhe t’i thërriste mendjes nga një akt i tillë, një qeveri e votuar nga qytetarët do të hiqte dorë nga çmenduria e futjes së biznesit të vogël me TVSH pas kësaj proteste.

Mirëpo ne sot nuk kemi as një qeveri të përgjegjshme dhe as një qeveri të votuar nga qytetarët. Në të kundërt qeveria dëshmon përditë papërgjegjshmërinë e saj në raport me njerëzit e këtij vendi duke i rrjepur dhe varfëruar dita ditës.

Sot, ishte hapi i parë i reagimit që bizneset e vogla kishin ndaj raprezaljes qeveritare përmes vendosjes së TVSH-së.

Askush nuk ka të drejtë të luajë me bukën e fëmijëve dhe të ardhurat e shqiptarëve!

Askush nuk ka të drejtë të taksojë padrejtësisht bizneset dhe shqiptarët!

Çdo arsyetim i qeverisë dhe kryeministrit në favor të taksave të larta është alibia e një qeverie të korruptuar që përditë u merr më shumë para qytetarëve dhe në këmbim u jep tollonin e varfërisë.

Kjo nuk është Shqipëria që duam të ndërtojmë për veten dhe fëmijët tanë.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al