Transmetuar më 10-04-2018, 11:11

Ashtu siç ishte paralajmëruar pronarët e bizneseve të vogla e të mesme në Shqipëri nisën protestën kundër skemës së re të TVSH-së, duke mbyllur qepenat.

Sipas tyre kjo taksë po i çon drejt falimentit, ndërsa pjesë e protestës së tyre u bë edhe opozita shqiptare.

Në një prononcim për mediat deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se kjo nuk është qeveri e shumicës, por e oligarkëve.

"Një qeveri që dhunon sipërmarrjen përmes taksave të larta nuk është më një qeveri e shumicës së qytetarëve, por e një pakice që përpiqet të imponohet me dhunë.

Sot jemi në krahun e atyre që vendosin lirinë e tyre dhe të sipërmarrjes së lirë mbi dhunën arbitrare të një pushteti gati diktatorial.

Taksat as nuk kanë qenë dhe as nuk janë gjoba e qeverisë karshi sipërmarrjes sikundër kjo qeveri mendon dhe vepron", tha Tabaku.

Kjo protestë vjen pas asaj që ndodhi në rrugën e Kombit kundër tarifës së kalimit të vendosur nga qeveria e Ramës dhe pas një tjetër tubimi që solli bllokimin e 4 akseve kryesore në vend./m.sh/noa.al/