Transmetuar më 07-04-2018, 09:00

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, uron të gjithë besimtarët ortodoks me rastin e festës së Pashkëve, të cilat kremtohen këtë të diel.

Në mesazhin e tij, Janullatos thotë se veçanërisht në epoka të vështira, si kjo e sotmja, ku dëshpërimi i thellë dhe shqetësimi janë përhapur në mbarë shoqërinë dhe ku zhgënjimi i shtyp zemrat, çdo besimtar ftohet të marrë mesazhin ngjallësor të gëzimit, të dashurisë dhe të paqes dhe ta transmetojë tek ata që ndodhen afër dhe larg tij.

“Ejani të ngazëllohemi më Zotin, i cili dërrmoi pushtetin e vdekjes dhe ndriçoi gjindjen njerëzore”, psal Kisha jonë. Ejani të gëzojmë për besimin tonë në fitoren e drejtësisë mbi padrejtësinë, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të jetës mbi vdekjen. Ejani të përjetojmë më thellë mesazhin e Ngjalljes së Krishtit”, thuhet në mesazh.

Mesazhi i plotë i Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

“Siç më dërgoi ati, edhe unë ju dërgoj ju” (Jn. 20:21)

Jeta adhuruese e Orthodhoksëve kulmon në të kremten e tërëndritshme të Ngjalljes së Krishtit. Pa Ngjalljen, predikimi i Ungjillit përfundon në një kod të dobët rregullash morale. Apostull Pavli na e thekson me guxim të madh këtë të vërtetë: “Edhe nëse nuk u ngjall Krishti, pa fjalë, predikimi ynë është i kotë, dhe besimi juaj i kotë” (1Kor. 15:14). Dinamika e mesazhit të krishterë përmblidhet në fjalët “Krishti u Ngjall”. Ngjallja e Krishtit shpall fuqishëm tejkalimin e vdekjes: “U varrosëm pra, bashkë me të me anë të pagëzimit në vdekjen, që, siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re” (Rom. 6:4). Krishti i Ngjallur, i Cili dërrmoi pushtetin e vdekjes, vazhdon të shpërbëjë çdo lloj fryme frike, padrejtësie, urrejtjeje, zhgënjimi.

Kisha Orthodhokse nuk synon ta imponojë këtë të vërtetë me argumentime shterpë, por e kthen në festë, e shijon, e jeton dhe e shpall: “U ngjall Krishti prej së vdekurish, duke zgjidhur vargonjtë e vdekjes; ungjillëzo, o dhé, gaz të madh” (shën Joan Damaskini). Ajo i fton shpirtrat e besimtarëve me ritëm lavdërues që të ripërtërihen, të lulëzojnë sërish, të shtojnë fuqitë e brendshme, të intensifikojnë përpjekjen e tyre shpirtërore.

Por e kremtja nuk kufizohet vetëm në shpalljen e lajmit, ajo shkon më tej, drejt një ftese mahnitëse. Kjo ftesë u formulua nga Vetë Krishti në takimin e parë, pas Ngjalljes, me nxënësit e Tij: “Siç më dërgoi ati, edhe unë ju dërgoj ju” (Jn. 20:21). Ditët që i paraprinë Ngjalljes, ishin të mbushura me vuajtje e pasiguri dhe nxënësit ishin zhytur në dëshpërim e zhgënjim. Me gjithë këto, Krishti i Ngjallur nuk kufizohet vetëm në shpalljen e fitores së Tij mbi padrejtësinë, urrejtjen, madje edhe mbi vetë vdekjen, por i fton ata në diçka unikale: të bëhen pjesëmarrës në veprën e Tij, në përpjekjen për sundimin e drejtësisë, pajtimit, dinjitetit, solidaritetit.

Kjo ftesë, njëkohësisht porosi dhe premtim, u drejtohet apostujve, mbarë Kishës. Ngjarjet shpëtimtare të Kryqit dhe të Ngjalljes duhet të bëhen të njohura në tërë botën: “Shkoni, pra, dhe mësoni të gjitha kombet” (Matth. 28:19). Ky mision shumëdimensional, i është ngarkuar Kishës, Trupit Mistik të Krishtit, gjatë gjithë shekujve. “Siç më dërgoi ati, edhe unë ju dërgoj ju”.

Nga ky çast, “Kisha, që është Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike”, së cilës i takojmë, nuk jeton vetëm për vete. Gjithçka që ajo është, që zotëron dhe gjithçka që ofron, është e destinuar për mbarë njerëzimin, për lartësimin dhe ripërtëritjen e botës. Kisha nuk ka të drejtë të bëhet një shoqëri fetare e mbyllur “shpresëtarësh”, ku, në mënyrë ekskluzive, vetëm këta i shijojnë dhuratat e Perëndisë. Ajo mbetet në mënyrë diakronike komuniteti eukaristik i besimtarëve të Krishtit që, duke rrezatuar dritën e Tij, kremton përvojën e Ngjalljes, të fitores mbi vdekjen. Kisha, me anë të kësaj të vërtete, i jep kuptim jetës së njeriut, e gjallëron dhe e transformon me liri dhe dashuri.

Të gjitha qelizat e Trupit kishtar, të gjithë ne besimtarët, ftohemi të marrim pjesë në këtë detyrë që na e ka ngarkuar Perëndia, sipas mundësive, dhuratave dhe kushteve ku jetojmë. Tradita ngjallësore për të përçuar flakën e llambadhes paskale edhe te të tjerët, na rikujton detyrën për të ofruar të vërtetën dhe shpresën e Krishtit te njerëzit e tjerë.

“Siç më dërgoi ati, edhe unë ju dërgoj ju”. Lidhëza krahasuese “siç” përcakton mënyrën dhe moralin e nxënësve të Krishtit në kryerjen e detyrës sonë, që realizohet, jo me anë të fuqisë së pushtetit shtetëror ose ekonomik, por me fuqinë e dashurisë së painteres, të përgjegjshmërisë vigjilente, të përulësisë së hijshme. Vazhdimi i tekstit ungjillor, na zbulon pikërisht këtë burim fuqie: “Edhe si tha këtë, fryu dhe u thotë atyre: Merrni Shpirtin e Shenjtë”. Do të bëheni faktorë paqeje, pajtimi dhe solidariteti, jo me anë të fuqive tuaja, por me anë të veprimit të Shpirtit të Shenjtë.

Veçanërisht në epoka të vështira, si kjo e sotmja, ku dëshpërimi i thellë dhe shqetësimi janë përhapur në mbarë shoqërinë dhe ku zhgënjimi i shtyp zemrat, çdo besimtar ftohet të marrë mesazhin ngjallësor të gëzimit, të dashurisë dhe të paqes dhe ta transmetojë tek ata që ndodhen afër dhe larg tij.

“Ejani të ngazëllohemi më Zotin, i Cili dërrmoi pushtetin e vdekjes dhe ndriçoi gjindjen njerëzore”, psal Kisha jonë.

Ejani të gëzojmë për besimin tonë në fitoren e drejtësisë mbi padrejtësinë, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të jetës mbi vdekjen.

Ejani të përjetojmë më thellë mesazhin e Ngjalljes së Krishtit.

Ejani, si gjymtyrë të Kishës, si qeliza të Trupit Mistik të Krishtit, të marrim pjesë në veprën e Tij rinovuese, në ofrimin e dashurisë, të optimizmit dhe frymës krijuese në shoqërinë tonë.

Krishti u Ngjall!