Transmetuar më 06-04-2018, 10:36

Kryeministri Edi Rama thotë se turizmi në vendin tonë ka potenciale të jashtëzakonshme të pashfrytëzuara. Duke folur paraditen e sotme në panairin e turizmit, ai deklaroi se kërkesa është shumë më e lartë nga oferta.

Sipas tij, kjo është sfida kryesore, të rritet oferta për të përballuar një kërkesë që vjen gjithnjë e në rritje.

Por ai dha një paralajmërim të fortë për të gjitha strukturat pritëse në bregdet.

“Nuk do të lejojmë struktura pritëse në bregdet që derdhin ujërat e zeza në bregdet. Duhet të marrin masa, që çka është domosdoshmëria e aktiviteti të tyre të mos kthehet në kosto as për mjedisin dhe as për vizitorët. Ndoshta në këtë sezon nuk do të bëjmë gjithçka, por kushdo gjendet në shkelje do të humbasë të gjithë çka priste të fitonte”, u shpreh Rama.

Në vijim, kreu i qeverisë tha se, ligji i ri për turizmin ofron lehtësira të konsiderueshme, duke krijuar kushtet që investitorët në turizëm ta shohin vendin si destinacion shumë tërheqës, për të investuar në infrastrukturën e mikpritjes.

Rama deklaroi se edhe ulja e Tvsh në 6% e ka ndihmuar dhe do e ndihmojë ndjeshëm turizmin në Shqipëri si një forcë konkurruese ku duhet të përballemi, sipas tij, me një boshllëk të ndjeshëm të trashëguar mes të sotmes dhe të ardhmes.

Ai tha se synohet ti jepet një vëmendje e veçantë një komponenti të veçantë të kësaj industrie, që është agroturizmi.

"Kemi hartuar një program për nxitjen e agroturizmit që do të mbështetet financiarisht qoftë nga qeveria shqiptare, edhe nga fondi i mbështetjes së Komisionit Europian. Jemi të bindur se nxitja e këtyre investimeve do të sjellë me patjetër ngritjen e një efekti zinxhir për ti dhënë një mesazh shumë të qartë mundësie, rritje ekonomisë familjare në fshat, në ato pika ku është e pamundur bujqësia dhe blegtoria. Po ku natyra e mrekullueshme dhe mundësia për të mikpritur në infrastrukturë të bazuar tek tradita dhe duke ofruar produktet lokale përbën një rrugëdalje të sigurtë nga kthetrat e varfërisë dhe papunësisë në atë zonë”, deklaroi Kryeministri.

Në këtë linjë shtoi se mbështetja do të jepet, duke qenë se jemi dëshmitarë se çfarë ndikimi ka zhvillimi i agroturizmit në industrinë e vendeve fqinje, por përmendi edhe shembuj në vendin tonë ku investitorë apo emigrantë të rikthyer në fshatin e tyre, kanë arritur të bëjnë një kapërcim të madh, duke krijuar struktura që kanë vërtetë një fuqi të madhe tërheqëse.

Ai tha se Qeveria sikundër është përgatitur dhe po përgatite shumë seriozisht si asnjëherë më parë, për të garantuar një rritje të disa parametrave për sezonin turistik, pastërtinë, sigurinë dhe elementë të rinj që turistët përtej orëve në plazh të kenë edhe destinacione të ndryshme ku do të organizohen, festa lokale të traditës apo aktivitet të tjera të natyrës turistiko-kulturore. /a.y/noa.al