Transmetuar më 04-04-2018, 20:26

Nga Mentor Kikia

Të gjithë kemi lindur njësoj në këtë tokë. Të gjithë jemi njësoj “pronarë” të këtij vendi që quhet Atdhe. Por disa jetojnë në luks, e të shumtët përpëliten në mbijetesë.

Ata, të paktët, zotërojnë puset e naftës, minierat, pyjet, plazhet, ushqimin… Padyshim, jemi në kapitalizëm, nuk ka barazi.

Ata që janë më të aftë e më punëtorë, bëhen më të pasur. Po, jemi në kapitalizëm, një rend ekonomiko-shoqëror i pamëshirshëm.

Por këtu është themeluar një lloj i ri kapitalizmi. Eshtë kapitalizmi politiko-ekonomik. Ky lloj kapitalizmi nuk të pasuron përmes punës, por përmes zhvatjes. Të pasurit bëhen të pangopshëm. Ata duan tokën, nëntokën, qiellin dhe detin. Ata duan politikën dhe pushtetin. I marrin, i blejnë, i përdorin për të vjedhur, mashtruar, e zhvatur.

Por sërish nuk ngopen, duan të bëhen pronarë edhe të rrugës ku ne ecim. Dhe kur njerëzit e uritur revoltohen, kjo quhet dhunë. Shteti bërtet me të madhe: Dhunë ndaj pronës! Të uriturit arrestohen.

Po ajo që na bëjnë ata, a nuk është dhunë?

A nuk është dhunë kur na shesin karburantin më shtrenjtë se në çdo vend të Europës?

A nuk është dhunë kur na shesin karburantin llum, duke na shkatërruar automjetet dhe duke na ndotur ajrin?

A nuk është dhunë kur ata na shkatërrojnë parqet për të bërë gratacela?

A nuk është dhunë kur na detyrojnë të paguajmë taksa vetëm për ta, sepse ata janë të pangopshëm?

Ata nuk e njohin dhëmbshurinë. Të pasuruarit e shpejtë të kapitalizmit politiko-ekonomik, i shikojnë njerëzit e tjerë si skllevër të tyre.

Ata e marrin çdo gjë që duan. Nëse atyre do tu teket të na marrin ca para edhe për ajrin që thithim, qeveria do të shpikë “Taksën e oksigjenit”.

Nëse ata do të duan sërish të pasurohen, do të na kërkojnë para edhe kur pjerdhim.

Dhe qeveria do të shpikë “Taksën e Karbonit", ose "Taksen e Vrimes se Ozonit"”, që padyshim, do të jepet me koncension!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al