Transmetuar më 30-03-2018, 11:59

Kryeministri Edi Rama thotë se rezultatet për punësimin janë inkurajuese, për shkak se është rritur bashkëpunimi mes bizneseve dhe zyrave të punës.

Në një aktivitet për sfidat e punësimit në Kryeministri mesditën e sotme, ai shtoi se sfida e punësimit ka një kompleksitet që fillon nga kapacitetet e njerëzve për punë për shkak se ka munguar arsimi profesional për mbi 20 vjet, por u shpërndanë diploma “shumë e për lumë”.

Rama deklaroi se janë 10 mijë njerëz që duan të punësohen, por tha se “edhe nëse refuzohen nga kompanitë ne do i paguajmë më shumë se mesatarja e ndihmës ekonomike për t’u trajnuar. Do i paguajmë me gjysmën e pagesës së papunësisë”.

Sipas tij, në vend që të rrinë në shtëpi dhe të presin që puna të vinë te shtëpia, i ftoi që të marrin pagesën dhe të shkojnë të trajnohen, në bazë të nevojës së kompanive dhe të mësojnë një zanat.

Kreu i qeverisë shprehu bindjen se nuk ka kompani që të mos ketë vende pune.

“Kompania x do të marrë në bazë të marrëveshjes, para nga shteti që do i shkojë personit që trajnohet dhe më pas personi do të rekrutohen në punë. Punëkërkues janë 83 mijë, por ishin 150 mijë në vitin 2013, ashtu sikundër përtej të gjitha llafeve që nuk dua ti hedh poshtë se papunësia është një problem serioz, ka një tregues shumë kuptimplotë që sot në Shqipëri ne kemi normën më të ulët të papunësisë relative të 25 viteve të fundit. Kujtdo që hidhet përpjetë për të thënë jo, ajo që tregohet janë të ardhurat nga puna se kjo është lehtësisht e verifikueshme, ne flasim për punonjës të regjistruar dhe të njëjtën gjë thotë dhe vetë INSTAT për normën e papunësisë”, tha ndër të tjera Kryeministri.

Duke u ndalur në shifra, ai deklaroi se norma e papunësisë ishte 18.2% në 2014, ndërsa sot është 13.2%.

Nuk diskutohet që pagat e ulëta janë ende të ulëta, por Rama tha se i përçmon gjithë ata që përqeshin në komentet e tyre njerëzit që punojnë me një pagë të ulët, duke nënvizuar se paga e ulët është shumë më e lartë se ndihma ekonomike.

“Ndihma ekonomike nuk mund të jetë status i përjetshëm dhe as varfëria, por nxitja drejt punës është detyra jonë. Do realizojmë objektivin madhor në 25 mijë të punësuarve në zyrat e punës, por duke u fokusuar tek njerëzit në nevojë”, tha në mbyllje Edi Rama. /a.y/noa.al