Transmetuar më 28-03-2018, 20:41
Publicitet

Prej kohësh monedha evropiane po zhvlerësohet përballë lekut duke arritur në nivelet më të ulta në nëntë vitet e fundit.

Para disa ditësh euro zbriti në nivelin e 129 lekëve.

Lidhur me zhvlerësimin e cilësuar jo normal nga ekonomistët ka dhënë shpjegime edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.

“Analizat e Bankës së Shqipërisë për një periudhë më të gjatë kohore, tregojnë se kursi i këmbimit, kryesisht euro-lek, por edhe për monedhat e tjera, është përcaktuar nga faktorë fondamentalë. Ne si Banka e Shqipërisë, krenohemi me qëndrueshmërinë e monedhës tonë kundrejt monedhave të tjera, nëse i referohemi luhatjeve të kursit të këmbimit. Monedha jonë ka një stabilitet të konsiderueshëm, krahasuar me monedhat e vendeve të rajonit, por edhe më gjerë. Për momentin, duhet thënë se kursi është ristabilizuar pas luhatjeve të tregut të javës së kaluar”, deklaroi ai.

Guvernatori sqaroi më tej se kursi i këmbimit është një regjim i lirë dhe janë disa kritere kur banka duhet të ndërhyjë. Sipas tij, në kushtet e aktuale, nuk u panë elementë abuzimi apo luhatje të mëdha.

“Banka e Shqipërisë ndjek një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Në këtë kuadër, kursi përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Politikat e Bankës së Shqipërisë nuk kanë si objektiv arritjen e një niveli të caktuar të kursit të këmbimit, duke qenë se është regjim i lirë. Në rast se ka luhatje të mëdha të kursit të këmbimit, dhe nëse plotësohen kriteret e përcaktuara prej saj, Banka e Shqipërisë bën ndërhyrje në treg. Në rastin konkret, ne nuk kemi gjykuar se janë përmbushur kriteret e përcaktuara për të ndërhyrë. Kursi është përcaktuar nga faktorët  e kërkesës dhe ofertës”, tha ai.

Më tej Sejko tha se “nuk parashikojmë që të ketë luhatje të tjera, por e theksoj dhe njëherë se kursi përcaktohet nga kërkesa dhe oferta të tregut. Ne nuk kemi objektiv të ndërhyjmë në kursin e këmbimit”./a.m./noa.al/